Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule komenton nga Korça zhvillimet politike dhe kërkon rrëzimin e qeverisë Rama. Si një aleat i Lulzim Bashës, ai qëndron në një linjë mendimi, ndërsa për anëtarin e partisë së tij, Ligoraq Karamelo që vendosi të dalë nga radhët, Dule nuk i kursen fjalët.

Ai thotë se pavarësisht se Karamelo dhe të tjerë si ai nuk do mund të shërbejnë si komardare shpëtimi për Ramën.

“Duke ju drejtuar realitetit tonë, duhet të përqendrohemi tek kryefjala e kërkesës mbarëpopullore në vendin tonë, që është largimi i qeverisë së Ramës dhe hapjes së rrugës së zhvillimit të zgjedhjeve të lira, të ndershme, të gjithëpranuara, produkt i të cilave, do të jetë një qeverisje e re, e cila do t’ju garantojë shqiptarëve, mirëqënie, arsim dhe perspektivë europiane.

Sa i përket vendimit të Karamelos, për marrjen e mandatit të deputetet të PD, Dule thotë: “As Karamelo, as të ngjajshmit e tij, nga çdo drejtim që mund t’i bashkangjiten Ramës, nuk mund të shërbejnë si komardare shpëtimi. Janë thjesht fenomene, që në jetën politike të çdo vendi, janë kalimtare dhe nuk mund të kenë asnjë kontribut dhe asnjë domethënie. Rrjedhimisht, duhet të jemi të gjithë, më të vendosur se kurrë, që t’i përgjigjemi kërkesës popullore, të largohet Rama, të largohet qeveria e tij. Qytetarët duhet të kenë të drejtën që ka çdo qytetar i vendeve të lira dhe të civilizuara, të drejtën e votës. Vota të mos blihet më me thasë me miell, me shlyerje të detyrimeve të OSHEE, të ujësjellësit, por të shprehin vullnet politik. Sido që të jetë, askush nuk mund të pengojë askënd të jetë opozite e një qeverie. Opozita nuk është në parlament, opozita është me qytetarët. Vendimet e partive politike kanë qenë të njëzëshme, nga i gjithë spektri i opozitës. Gjithçka tjetër është nismë individuale, e cila e ka zanafillën në një hall. Rrjedhimisht hallet e disa individëve nuk mund të jenë hallet e të gjithë qytetarëve”.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, Dule thotë se Rama duhet mëshiruar. “Tragjikomedia e tij personale rrezikon të kthehet në tragjedi të të gjithë vendit”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb