*Mblidhet këshilli i Mandateve nën drejtimin e N/Kryetarit Dule
*PD paralajmëron: Hetimi pa dorëheqjen e Ilir Metës është një farsë
*Tom Doshi e Mark Frroku paraqiten
*Dashamir Tahiri i PDIU nuk është i pranishëm
*Mark Frroku del nga mbledhja dhe largohet
*Tom Doshi: Akuzat bien, por ka arrestime politike, çfarë s’pret
*PD kërkon dorëheqjen e Metës si dhe të deputetit Koço Kokëdhima

TIRANE- Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend është mbledhur sot pasdite, në orën 17:12 për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës ndaj dy deputetëve, z. Tom Doshi dhe z. Mark Frroku.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme si dhe deputetët, z. Tom Doshi dhe z. Mark Frroku.

Mbledhja është drejtuar nga N/Kryetari Vangjel Dule. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi që të pranojë kërkesën procedurale të z. Doshi për më shumë kohë në njohjen e kërkesës së Prokurorisë dhe për të pasur një avokat mbrojtës. Ndërsa z. Mark Frroku paraqiti në Këshill, me shkrim shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vendosi që të vijojë mbledhjen ditën e hënë, datë 23 mars 2015, ora 10:00.

Në këtë mbledhje, PD-ja ka hyrë me kërkesën për dorëheqjen e Metës dhe ka shtuar edhe një të dytë: dorëheqjen e deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima.

HALIMI: KERKUAM DOPREHEQJEN E METES DHE TE KOKEDHIMES, MBLEDHJA U SHTY PER TE HENEN

Ora 19:20 Në përfundim të mbledhjes, deputeti demokrat Eduard Halimi tha se kërkesa jonë ishte ajo që ju tregova pak më parë, por u shtua edhe një kërkesë nga z.Ristani, që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Legjislacionit të shtohet edhe kërkesa për dorëheqjen e Kokëdhimës. PS e pranoi kërkesën për ta shtyrë mbledhjen të hënën në orën dhjetë.

DOSHI: NUK KA AKUZE KUNDER MEJE, PROBLEMI ESHTE KRYEPROKURORI

Ora 18:00 Deputeti Tom Doshi ka deklaruar për mediat sapo ka dalë nga mbledhja se ka kërkuar një javë kohë për t’u njohur me kërkesën e Prokurorisë. “Akuzat bien, se nuk ka akuzë ndaj meje pasi as kam bërë kallëzim të rremë dhe as kam kanosur njeri. Problemi më i madh është këtu vetë Prokurori i Përgjithshëm, që është informuar më 5 shtator dhe nuk ka bërë asgjë. Po të mos bëhej kështu, ai duhej të largohej,”- tha deputeti.

Pyetjes së gazetarëve “nëse i druhet një arrestimi”, Doshi iu përgjigj: “Ka dhe arrestime politike, çfarë s’pretu. Uë bëra kërkesën, bëra propozimet e mia sipas rregullores dhe presim vendimin.”

frroku

KESHILLI HARTON RAPORTIN PER KUVENDIN

Në bazë të rregullores së Kuvendit, është ky këshill që harton një raport për seancën parlamentare, e cila më pas voton këtë raport me shumicë të thjeshtë votash.

Kreu i Parlamentit, Ilir Meta është njëherazi edhe kryetar i këtij Këshilli, por ai nuk do përballet me Tom Doshin, pas akuzave publike që detyruan Prokurorinë të nisë hetimet. Me tërheqjen e tij kryeparlamentari Meta ka shmangur konfliktin e interesit, duke qënë se Doshi e ka akuzuar atë drejtpërdrejt si porositësin e një atentati ndaj tij e deuptetit të PD-së, Mhill Fufi.

Mësohet se Mbledhja e Këshillit të Mandateve drejtohet nga Vangjel Dule, Nënkryetari i Kuvendit.

Ndërkaq deputetët Tom Doshi e Mark Frroku kanë konfirmuar prezencën e tyre në Mbledhjen e Këshillit të Mandateve. “Do jem në mbledhjen e Këshillit”, i janë përgjigjur ata pyetjes së News 24. Tom Doshi është ftuar të jetë në Komision në orën 17:00 ndërsa Mark Frroku në orën 17: 45. Argumentet ata mund t’i paraqesin si duke qenë prezent, por dhe me shkrim.

ANETARET
Ilir Meta LSI Kryetari i Kuvendit (ose nënkryetari)
Fatmir Xhafaj PS Anëtar
Namik Dokle PS Anëtar
Vasilika Hysi PS Anëtar
Armando Subashi PS Anëtar

Eduart Halimi PD Anëtar
Arben Ristani PD Anëtar
Kastriot Islami PD Anëtar
Dashamir Tahiri PDIU Anëtar (Mungon)

HALIMI: HETIMI PA DOREHEQJEN E METES ESHTE NJE FARSE, PER TA MBYLLUR ÇESHTJEN

5 minuta para mbledhjes së Këshillit të Mandateve në Kuvend, Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Eduard Halimi, ka këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, pavarësisht kërkesave që ka paraqitur Prokuroria për arrestimin e dy deputetëve.

Ish-ministri i Drejtësisë Halimi theksoi se PD-ja gjithmonë i ka thënë “pro” kërkesave të Prokurorisë, në aspektin proceduarial për t’i hetuar deputetët si çdo qytetar i këtij vendi, por në rastin konkret, “një hetim i kësaj afere, i kësaj çështjeje ndaj numrit dy të shtetit, nuk mund të jetë i besueshëm, për aq kohë sa ai mban postin, – theksoi ai. – Meta duhet të shkojë para drejtësisë si çdo qytetar, pa funksionin e që ka. Qëndrimi i PD-së mbetet i njëjtë: Ne kërkojmë dorëheqjen e Ilir Metës, në mënyrë që hetimi i Prokurorisë të jetë i besueshëm.”

NJOFTIMET
“Gazeta Shqiptare” shkruan se, dy deputetët u njoftuan dje, me shkresa të veçanta, për të qenë të pranishëm në mbledhjen e Këshillit. Kështu, deputeti Tom Doshi është ftuar të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit, fiks në orën 17:00, me argumentin se: “Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z.Tom Doshi”. “Në zbatim të pikës 2 dhe 5 të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, – thuhet më tej në këtë shkresë njoftuese, – mbledhja e këtij këshilli mbahet ditën e shtunë, në orën 17:00”. Me po të njëjtën mënyrë është njoftuar edhe deputeti tjetër, Mark Frroku, por atij i është thënë që të jetë i pranishëm në orën 17:45, vetëm 45 minuta më vonë se kolegu i tij.

RREGULLORJA
Pasi Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të ketë dëgjuar mbrojtjen e dy deputetëve, pritet të shprehet me një raport, që sipas rregullores duhet të jetë gati brenda 4 javëve nga mbledhja e komisionit, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve. Nuk dihet në fakt se sa kohë do t’u marrë anëtarëve të Këshillit hartimi i raportit. Por, me të qenë gati, ai do t’i paraqitet seancës parlamentare për miratim. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë, – thuhet në nenin 118, – nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Por, i pyetur për këtë fakt, një prej anëtarëve të Këshillit, Armando Subashi sqaroi dje për “Gazeta Shqiptare” se: “Kuvendi voton për raportin e Këshillit dhe ai bëhet me votim të hapur”. Ndaj pritet të ketë një votim të hapur. Për t’u miratuar, raportit i nevojiten 71 vota deputetësh.

(ma.ar/m.k/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb