DURRËS- Kandidatja e djathtë për bashkinë e Durrësit, Grida Duma shpalosi programin me banorë të zonës së Shkozetit. Duma tha se pas datës 21 qershor, çdokush që meriton ndihmën ekonomike do e marrë menjëherë dhe do vendoset drejtësi me faturat abuzive të ujit dhe energjisë me avokatinë falas nga bashkia.

“Nga 21 Qershori, do fillojmë bashkë një projekt që rregullon të gjitha rrugët, kanalizimet, ndarjen e ujërave të zeza nga ato të bardha dhe vendosjen e ndriçimit në rrugë dhe rrugica. Këto nuk janë premtime por fillesa të një bashkie të re. Nuk do të ketë më aplikime për ndihmë ekonomike sikur janë konkurse por ata që janë në nevojë për ndihmën ekonomike, menjëherë do të konfirmohet që janë në nevojë dhe të papunë dhe pa asnjë të ardhur, do të marrin të gjithë ndihmën ekonomike dhe gjithçka që i takon sipas ligjit. Nëse ka fatura abuzive të ujësjellësit, nëse ka fatura të mbivlerësuara të energjisë elektrike, nëse nuk keni ku të mbroheni për faturat e energjisë abuzive do të keni në bashki atë që është avokatia falas për të gjitha abuzimet ku nuk keni ku të mbroheni. Punësimin e çojmë deri në fund dhe në fund të mandatit 4 vjeçar një familje do të ketë minimalisht një të punësuar. Kam thënë 15 mijë vende pune dhe pas katër viteve do të shikojmë që çdo familje të Durrësit një të punësuar”, tha Duma.

Kandidatja Duma u shpreh më tej se do pastrohet qyteti dhe nuk do ketë më djegie të plehrave. Për banorët e Shkozetit dhe zonave të tjera periferike do të ketë 3 herë më shumë transport publik.

“Do ta pastrojmë qytetin dhe të kthejmë edhe mbeturinat në të ardhura ekonomike. Do zhdukim dalë-ngadalë landfillin e Porto Romanos dhe dy herë në ditë do vijnë të pastrojnë koshat. E sigurtë që nëse votoni për alternativën tonë dhe kërkoni votën për Grida Dumën nesër do jeni vetëm kokëlartë për vetën dhe atyre që ua kërkuat. Komunitetet që janë larg qendrës vuajnë transportin publik dhe do të bëj realitet brenda 5 muajve trefishimin e transportit publik dhe së paku përgjysmimin e kohës në të cilën kalon urbani”, tha Duma.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: