DURRËS- Kandidatja e djathtë për bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me banorët e Shkozetit duke ndarë me ta planin afatgjatë për turizmin për të hapur vende pune. Duma tha se do të nisë nga ruajtja e bregdetit duke i thënë stop betonizimit, duke lidhur bujqësinë, vlerat historike dhe bregun e ruajtur në një zgjidhje afatgjatë për Durrësin.

Duma tha se Durrësi do të ketë plazhin publik për qytetarët në zonën e Currilave, do të zhvillohet pjesa veriore duke ruajtur koridorin e gjelbër ndërsa plani i emergjencës parashikon stabilizimin e situatës me kanalizimet brenda një viti e 8 muaj.

“Do ti themi stop betonizimit të bregdetit. Do të ruajmë bregdetin dhe do të bëjmë gjithë zhvillimin e pjesës së veriut të bashkisë së re atje ku turizmi do të hapë vende pune dhe për ruajtjen e korridoreve jeshile dhe bregdetit për të pasur një qytet jo vetëm për sot, por për të pasur një qytet me vizion afatgjatë edhe për nesër”, tha ajo.

Sipas Dumës projektet e zhvillimit për një turizëm afatgjatë, do të japin zgjidhjen ekonomike, duke e vënë theksin pikërisht tek zhvillimi ekonomik.

“Projektet e zhvillimit për një turizëm afatgjatë dhe e lidhur kjo me produkt bujqësor, arkeologji e histori dhe me bregdetin që do ta mbrojmë do të na japë zgjidhjen ekonomike. Duhet të zhvillojmë qytetin ekonomikisht që të mund të kemi më shumë lekë në xhepat e gjithsecilit. Do stabilizojmë zonën e plazhit me të gjitha standardet dhe do ti ruajmë standardet atje por do bëjmë plazhin publik për të gjithë qytetarët tek zona e Currilat, që kur unë e thashë filloi e tha edhe zotëria tani. Plani i emergjencës për kanalizimet, për pastrimin e kanaleve të mëdha, për stabilizimin e rrugëve dhe rrugicave mes pallateve në periferi, në kalkulimet tona është një vit e 8 muaj”, tha Duma.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: