TIRANË-Kandidatja e opozitës për Bashkinë e Durrësit Grida Duma premton ndërtimin e një tjetër standardi për qytetin ku kandidon pas zgjedhjeve të 21 qershorit. E ftuar në emisionin “Koha për t’u Zgjuar” Duma u shpreh se do stopohet betonizimi i qytetit dhe do fillojnë projektet për ruajtjen dhe restaurimin e objekteve dhe zonave arkeologjike.

“Pas 21 qershorit do kemi një plan afatgjatë për të lënë gjurmë të mira dhe afatshkurtër për të nisur punët emergjente. Do ndërtojmë standardin e qytetit. Kjo do të thotë të ketë një mobilim të hapësirës urbane. Të kesh koshat e plehrave të pastër. Të kesh standardin e gjelbërimit. Është normalitet që qyteti të ketë mushkëri. Të ketë edhe disa tualete publike, të ketë çezma publike, të ketë transport publik. Të ketë plazhe publike sepse i kanë konsideruar durrsakët turistë. Paguajnë durrsakët për shezllone”, tha Duma.

Si e shihni rritjen e hapësirës që përfshin bashkia e re e Durrësit me hartën e re territoriale?
Harta e madhe e ka 10-fishuar hapësirën e bashkisë së re të Durrësit. Në këtë hapësirë krijohet një hark i gjelbër, dhe zgjerimi i bashkisë deri te Kepi i Rodonit i jep mundësi zhvillimit të turizmit familjar. Pjesa veriore e bashkisë do të krijojë standarde për turizëm cilësor. Ne kemi një plan për tre tregje rajonale bujqësore, dhe një pikë grumbullimi, që e lidh me tregun e Durrësit, i cili nga ana e tij ka shumë problematika dhe ne do ta rikonstruktojmë. Do të risistemojmë rrugët e dyta dhe të treta, dhe do të përmirësojmë transportin urban.

Si do jetë bashkëpunimi me kryeministrin Rama?
Kryeministri Edi Rama është duke bërë fushatën e partisë së tij, edhe pse do ishte me mirë të bënte detyrën e tij si kreu i Qeverisë. Megjithatë jam e bindur se marrëdhëniet e mia me kryeministrin do të jenë normale.

Pse mendoni se njerëzit duhet të votojnë Grida Dumën?
Që të qeverisësh duhet të kesh besimin e njerëzve, dhe duhet të bashkëpunosh me ta. Qytetarët e dinë se kopshti magjik nuk ekziston, por e dinë se është me rëndësi kur ke një menaxhues qyteti që të dëgjon, që të pret, që ka projekte për përmirësimin e nivelit të jetesës në Durrës. Puna ime do të lidhet me mirëqenien e tyre.

(a.n/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: