TIRANE- Partia Demokratike ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se nuk zbaton ligjin, duke mos deklaruar në dogana pikturat e tij. Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma, u shpreh se Rama ekspozon nëpër vende të ndryshme të botës ekspozitat e tij, por sipas saj nuk i deklaron sipas ligjit doganor.

“Çfarë kuptimi do kishte shteti i të padrejtës, shteti i korruptuar e kriminal që ka ngritur Edi Rama, nëse ai vetë nuk do të ishte në krye të shkeljes dhe dhunimit të ligjeve dhe Kushtetutës. E ka bërë këtë në mënyrë të përsëritur për interesat e tij politike. E ka bërë dhe vazhdon ta bëjë edhe për interesin e tij privat dhe personal.
Kodi Doganor, është një nga ligjet e vendit, që Edi Rama e ka shkelur këto dy vite në mënyrë të përsëritur.
Në këto tabela që ju shihni në ekran, janë të gjithë deklarimet për pikturat që kanë kaluar kufinjtë e vendit, dhe ka deklarim edhe kur ato janë kthyer.

Shikojini me kujdes. Mungojnë pikturat e Edi Ramës. Edhe pse ai e ka kthyer postin kryeministror në një agjensi private ekspozitash me turizmin e tij piktoresk nga Gjermania në Kinë nga Italia në Stamboll. Por Edi Rama, nuk deklaron pikturat që nxjerr jashtë për ti shitur me etiketën e kryeministrit të Shqipërisë. Ai i fsheh, duke shkelur ligjin.

Ndonëse Kodi Doganor kërkon që këto të deklarohen, Edi Rama e ka përjashtuar veten nga deklarimi. Fermeri që nuk tregon kuponin për një kile qepë në burg. Berberi që nuk pret kuponin në burg. Edi shkon e vjen në botë me pikturat e tij kryeministrore pa deklaruara asgjë, pa i hyrë ferrë në këmbë. Ligji nuk ka forcë ndaj tij.

Kjo është një tjetër dëshmi e shtetit të padrejtës. Ky është Aparteidi i Edi Ramës ku sundojnë mbi ligjin e kundër ligjit ai, sajmja i drogës, beqja i tenderave, gjiknurët e cezit, ahmetaj-ryshfetaj e një grusht carapulësh, papulësh e nushësh.
Dëshmi e faktit se ligji dhe ndëshkimi i ligjit janë për qytetarët, jo për kryeministrin e vendit.

Kështu, Edi Rama e ka shpallur veten të paprekshëm, ashtu siç bëri edhe me imunitetin që i dha vetes në parlament duke mos lejuar hetimin për vjedhjen e shekullit, aferën CEZ, më të rëndën në historinë e vendit. Këto padrejtësi do të marrin fund. Populli është në këmbë, dhe shteti i korruptuar, i padrejtë dhe kriminal i Edi Ramës do të shkulet nga themelet njësoj si bunkeri. Koha e maskarenjve, koha e kësaj qeveria ka mbaruar”, u shpreh Duma.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: