Gazetari dhe analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e “Open” ka komentuar dëshminë e kreut të SPAK Altin Dumani ditën e sotme në komisionin e ligjeve.

Ai u ndal te shqetësimi i ngritur nga ana e kreut të SPAK për përfshirjen dhe bashkëpunimin e elementëve të policisë me krimin e organizuar.

Sipas tij Dumani kërkoi ndihmë nga deputetët sepse ata mund të ushtrojnë presion në disa institucione që varen nga Kuvendi që mund të ndihmojnë prokurorinë me këtë shqetësim të ngritur disa herë.

Sakaq, ai shtoi se SPAK dhe Dumani kanë marrë parasysh denoncimet edhe nga ana e opozitës, duke rikujtuar denoncimin e Belind Këlliçit për drejtorët e bashkisë, tashmë të arrestuar.

“U bë disa herë që Dumani e ka ngritur çështjen e policisë dhe ka kërkuar ndihmë nga deputetët sepse ata mund të ushtrojnë presion në disa institucione që varen nga Kuvendi që mund të ndihmojnë prokurorinë që ky alarm që Dumani ka thënë disa herë, që bashkëpunimi i shefave të policisë me krimin është alarmues. Ky është më i tmerrshmi, kur policia bashkëpunon me kriminelët vështirësohet puna dhe dekonspirohen operacionet. Ky alarm duhet marrë seriozisht dhe duhet mbështetje. Ai i kërkoi ligjvënësve që ta marrin parasysh këtë. Dumani nuk ka në varësi asnjë institucion tjetër, nuk ka shërbimin sekret, nuk ka ministrinë e brendshme. Opozitës ia ka marrë parasysh denoncimet, e ka marrë denoncimin e Këlliçit për drejtorët e bashkisë”, u shpreh ai mes të tjerash.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb