Skënderbeu ka zgjidhur çështjen e sulmit që e mundonte prej kohësh duke firmosur për sezonin 2017-2018 me Danilo Alveshin. Braziliani ka rënë dakord me shifrat e ofruara nga korçarët dhe në ditët në vijim pritet të bëhet zyrtarizimi i marrëveshjes, raporton “panorama sport”.

Futbollisti disa ditë pas përfundimit të kampionatit është larguar drejt Brazilit pavarësisht se i kishte mbetur edhe një vit kontratë, por me klubin vlonjat duket se i ka ndërprerë marrëdhëniet pasi ai ka paraqitur dokumentat ku vërteton se ka 5 muaj pa u paguar dhe ky kjo është më se e mjaftueshme për t’i garantuar atij ndërprerjen pa asnjë penalitet.

Udhëtimi drejt Brazilit nuk i ka penguar drejtuesit e Skënderbeut të mbanin lidhje me 26-vjeçarin që së fundmi ka rënë dakord për të gjitha kushtet financiare që ai të quhet një futbollist i 6 herë kampionëve të vendit. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se si do të reagojë klubi i Flamurtarit, ku administratori Idrizi dhe trajneri Duro janë shprehur se presin Alvesh që në ditët e para të grumbullimit.

Që pas largimit të Salihit, korçarët nuk kishin mundur t’a zëvendësonin vendin e lënë bosh nga shkodrani, por me ardhjen e Danilos duket se edhe ky repart do jetë i plotësuar.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb