Trajneri i Kamzës, Klodian Duro, nuk e sheh sfidën e tij të parë si kundërshtar i Kukësit si një hakmarrje ndaj verilindorëve me të cilët nuk u nda edhe aq miqësisht dy vite më parë, por ai insiston se ka vetëm kujtime të mira nga eksperienca e tij në Kukës dhe se kjo do të jetë thjesht një ndeshje futbolli. “Futbolli ka edhe ndeshje të tilla. Unë kam respekt maksimal për Kukësin. Ajo që ruaj janë vetëm kujtime pozitive, pasi kaluam një kohë të mirë atje. Fitova edhe trofe, çka është më e rëndësishmja. Tani mendoj vetëm për Kamzën. Unë e shoh si një ndeshje futbolli normale. Nuk ka hapësira për hakmarrje”, ishin fjalët e Duros në konferencën për shtyp para ndeshjes me Kukësin. “Do të kërkojmë ta fitojmë takimin dhe të ecim në këtë rrugë. Çdo ndeshje ka specifikat e veta, ndaj Kastriotit u treguam të uritur. Edhe Kukësi vlen 3 pikë. Kukësi është për titull, por nuk mendoj se ne jemi më poshtë. Nëse ata luftojnë për titullin, ne në dhomën e zhveshjes kemi patur muzikën Champions. Nuk na bën përshtypje kundërshtari, shikojmë vetëm veten tonë”, deklaroi Duro i cili shprehu bindjen e plotë që kishte te lojtaret e tij. “Unë jam i kënaqur me të gjithë. Do të kenë  mundësinë të shënojnë të gjithë, në kupë shënoi dhe Teqja, ndërsa me Kastriotin ishin Roloviç dhe Fukui. Plaku dha një asist dhe Martinena u shfaq shumë përpara porte. Unë jam i kënaqur me të gjithë. Kamzën e kam marrë pasi kampionati kishte filluar dhe këtë ekip nuk e kam ndërtuar unë. E mora me bindjen se mund të bëjmë mirë në kampionat”, deklaroi trajneri. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb