Shpëtim Duro kërkon maksimumin deri në fund. Në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri i bën “skanerin” ecurisë së ekipit në kampionat, por edhe në dy miqësoret e fundit.

Shpetim Duro Flamurtari stervitje

Për teknikun e vlonjatëve, ekipi është në një ngërç psikologjik dhe, nëse gjejnë kthesën me Korabin, mund të hidhet një hap drejt mbijetesës. Ai zbulon edhe bisedën e bërë me administratorin Idrizi, por nuk ngurron të pranojë se aleancat mund të jenë prezente në 10 javët e fundit të këtij sezoni.

Si e vlerësoni paraqitjen e ekipit në dy miqësoret e zhvilluara?

Kanë qenë dy ndeshje ku unë kam provuar dy skuadra, në pjesën e parë dhe të dytën. Doja të shikoja gjendjen në përgjithësi të lojtarëve dhe, në veçanti, të atyre që nuk kanë pasur shumë hapësira. Pra, kam parë në mënyrë të veçantë lojtarë që nuk kanë pasur aktivizim, duke hedhur në fushë një grup në pjesën e parë dhe një grup në pjesën e dytë. Po ashtu u përqendrova edhe te vendosja e tyre në fushë. Ky ka qenë qëllimi. Ndaj, mund të them që kanë qenë teste të vlefshme.

Flamurtari humbi në miqësoren me Bylisin. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Mirë është që miqësoret të fitohen. Por ne kemi pasur mundësitë tona dhe skuadra ka dominuar. Qëllimi nuk është rezultati gjithsesi, por loja.

Domethënë, jeni i kënaqur nga loja e ekipit deri më tani?

Loja, për hir të së vërtetës, nuk ka qenë skarcitet, nëse mund ta quaj kështu. Por, në fund të fundit, na duhet rezultati. E rëndësishme është që të ecim përpara.

Çfarë diskutuat në takimin e zhvilluar me Idrizin?

Me presidentin Idrizi diskutuam ato që ai i ka thënë edhe në gazetë për ndeshjen e fundit me Laçin. Madje, mund të them se isha më shumë i mërzitur unë se sa Idrizi. Të humbësh në Laç nuk është ndonjë gjë, por nga ana tjetër ishte një ndeshje direkte. Gjithsesi, duhet të shikojmë përpara tashmë.

Mendoni se lojtarët duhet të japin më shumë?

Për mua, lojtarët kanë dhënë maksimumin.

Por çfarë mendoni se nuk shkon?

Por unë e kuptoj qartë, që ndikon edhe faktori psikologjik. Në miqësoren me Bylisin, sidomos në pjesën e dytë, ne dominuam. Skuadra ka edhe ngërçin psikologjik. Për këtë unë flas çdo ditë me lojtarët.

Në fundjavë luhet me Korabin. Çfarë prisni?

Për ne të 10 ndeshjet e mbetura janë të rëndësishme. Korabi ka dalë tashmë nga kategoria dhe luan për qejf, nuk ka presion. Jemi ne që e kemi presionin. Duhet të zhvillojmë me Korabin një ndeshje të mirë, si me Teutën dhe Kukësin, ku pavarësisht rezultatit ne bëmë dy takime shumë të mira. Shpresoj që në ndeshjen e radhës, veç lojës së mirë, të na shoqërojë edhe ndonjë rezultat pozitiv.

Mendoni se do ta keni të lehtë, pasi Korabi ka dalë tashmë nga kategoria?

Nuk ka për ne ndeshje të lehta tani. Ne kemi vlerësim maksimal për kundërshtarin e radhës. Korabi nuk ka se çfarë të humbasë. Ne e kemi presionin.

Si paraqitet situata për ndeshjen me Korabin?

Natyrisht që për ndeshjen me Korabin do të kemi dy mungesa. Veliu dhe Galiç mungojnë pasi kanë plotësuar numrin e kartonëve. Franc Veliu ka luajtur mirë në këto ndeshje që kur kam ardhur unë. Ai është shtylla e ekipit. Të shohim në vazhdim dhe këto ditë se si do të jetë situata në ekip.

Mendoni se mbijetesa është bërë edhe më e vështirë?

Patjetër që janë vështirësuar gjërat. Nëse do të kishim marrë një rezultat të mirë në Laç, gjërat do të ishin ndryshe për ne.

Keni frikë nga aleancat?

Nuk di çfarë të them për këtë. Por ajo që dihet, është se kur ka skuadra që dalin nga objektivat, edhe aleancat ekzistojnë./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: