NGA: Klodjana Haxhiaj*DURRËS – Plotë 716 fëmijë janë larguar nga shkollat parauniversitare të Durrësit si azilantë drejt Gjermanisë, deri në fund të muajit shtator. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria Arsimore e qytetit bregdetar, mësohet se vetëm gjatë muajit tetor janë rikthyer 120 nxënës.

“Drejtuesve të shkollave u është kërkuar që të investigojnë për braktisjen e shkollave nga nxënësit. Rezulton se numri më i madh i nxënësve të larguar janë nga shkollat në qendër të Durrësit, duke patur shpërndarje deri në shkollat e vogla në zonat rurale. Nga shkolla ‘Bajram Curri’ në plazh 50 nxënës rezultojnë të larguar, ndërsa nga fshati Vadardhë 20 fëmijë, ç’ka do të thotë se i gjithë fshati është larguar jashtë vendit. Në relacionet e tyre, drejtuar drejtorisë arsimore, shkak i braktisjes së shkollave nga fëmijët është largimi si azilantë në Gjermani, me kërkesa ekonomike dhe sociale.”, pohoi drejtoresha e Arismit në Durrës, Liljana Cani.

Ministria e Arsimit më një shkresë zyrtare, e cila mban vulën e sekretarit të përgjithshëm të saj, Plarent Ndreca, u kërkon të gjithë drejtuesve të shkollave që pavarësisht se në çfarë periudhe kthehen nxënësit, ata duhet të regjistrohen në shkollë, në klasën e tyre të vjetër. Sakaq, bëhet e ditur se shkolla “Qemal Mici”, në lagjen nr.16, ka dhe numër më të lartë të të larguarve, plot 48, ndërsa gjatë ditëve të fundit 7 nxënës janë rikthyer në shkollë.

Fëmijët e kthyer thonë për mikrofonin e News 24, se u larguan në Gjermani, pasi familjet e tyre, këtu kishin vështirësi ekonomike. Një prej tyre është edhe Hekuran Biba, nxënës i klasës së 9-të në shkollën “Qemal Mici”. “Mami punonte në Rrobaqepësi dhe babi në ndërtim. Kur gjenin punë, se tani s’kanë”, pohoi vogëlushi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: