NGA KLODJANA HAXHIAJ
DURRËS- Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në përurimin e mjediseve të reja të kopshtit “Met Hasa” i cili tashmë do të shërbejë si qendër komunitare. Ky kopsht, pas përfundimit të rehabilitimit të të gjitha mjediseve të jashtme me lulishte, kënde lojërash, përveç 150 fëmijëve qe ndjekin procesin mësimor në të, do të mirëpresë edhe fëmijët e komunitetit gjatë orëve të pasdites për t’u argëtuar në këto mjedise, nga sot moderne.

Në ceremoninë e rastit kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do të vazhdojë me ritme të larta ndërtimet e kopshteve, çerdheve dhe shkollave të reja si dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese për të krijuar mjedise sa më moderne për fëmijët e nxënësit. Një ndër synimet tona parësore, tha në fjalën e rastit kryebashkiaku Dako është kthimi i mjediseve të arsimit parauniversitar në qendra komunitare.

Mjekja dhe administratorja e “Shendi Dent” Olesia Duka e cila prej vitesh është pranë çështjeve sociale të komunitetit në disa qytete këtë radhë zgjodhi të bëjë të lumtur fëmijët e qytetit bregdetar. Olesia Duka shpërndau pako me dhurata për fëmijët e kopshtit dhe nënvizoi se bashkëpunimi do të vijojë edhe më tej me bashkinë Durrës.

Rehabilitimi i këtyre mjediseve u bë i mundur nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me shoqatën “Vizion OJF” dhe “Shendi Dent” e cila u përkujdes që këtë fundvit, t’i ofronte fëmijëve të këtij kopshti dhurata si dhe një ceremoni festive për ta në mjediset e bar “Portiku”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb