DURRËS- Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar disa rrugë dhe hapësira publike të reja në lagjen 18 të Durrësit. Kjo lagje ka qenë një nga lagjet më problematike të Durrësit ndërsa sot është kthyer në një nga lagjet më të mira me hapësira publike dhe gjelbërim si dhe rrugë të asfaltuara, kanalizime e trotuare duke u kthyer në një lagje model në qytet.

Kryebashkiaku Dako ka përuruar rrugët “Jeta e Re” dhe “Bashkim Taga” si dhe kuartallet përreth. Banorët e kësaj lagjeje i kanë shprehur falënderimet e tyre kryebashkiakut Dako për punën e bërë për transformimin e kësaj lagjeje dikur të mbytur në baltë ndërsa sot tërësisht e rehabilituar.

Dako gjatë këtij përurimi ka bërë me dije edhe një projekt të ri prej 750 mijë dollarësh për sistem monitorimi me kamera në qytet për rritjen e sigurisë dhe për ruajtjen e pronës publike si dhe projektin e ri për veshjen me kapotë të pallateve parafabrikate me qëllim kursimin e energjisë:

“Kemi ardhur në lagjen tuaj me premtime të mbajtura pasi të gjithë ju e mbani mend si ka qenë lagjja 18, para disa vitesh, me infrastrukturë të rënduar dhe probleme të shumta ndërkohë që sot pas investimeve dhe punës që ka bërë bashkia e Durrësit lagja 18 është kthyer në një lagje model me hapësira publike të gjelbëruara dhe rrugë të asfaltuara. Në sajë të punës sonë kjo lagje është transformuar tërësisht duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të kësaj zone.  Kështu do të vazhdojmë edhe mandatin tjetër dhe jo vetëm në këtë zonë por në të gjithë Durrësin dhe premtojmë se modeli i urbanizimit të kësaj lagjeje do të jetë modeli ynë edhe për zonat e Ishmit, Manzës, Sukthit, Rrashbullit dhe Katundit të ri. Tashmë ne do të investojmë edhe për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve por edhe të pronës ndaj do të punojmë në sistemin e sigurisë ku në sajë të një investimi prej 750 mijë dollarësh do të monitorohet me kamera qyteti për të jetuar në një qytet edhe më të sigurt e për të ndalur dëmtimet që i bëhen pronës publike”, tha Dako.

Ai informoi se bashkia ka aplikuar edhe për një projekt tjetër me fonde të BE për veshjen me polisterol apo siç quhet ndryshe me kapotë e të gjitha pallateve të parafabrikateve me qëllim kursimin në mënyrë të ndjeshme të energjisë elektrike.

“Ne do ta ndryshojmë infrastrukturën e rënduar në të gjithë territorin e ri të bashkisë së Durrësit, ne do ti japim Durrësit atë që meriton si mushkëria e dytë e Shqipërisë dhe do ti japim Durrësit vendin që i takon prej shekujsh. Ju jeni dëshmitarë të të gjitha transformimeve që po ndodhin në Durrës por edhe shtimit të sipërfaqeve të gjelbra. Një ditë më parë mbollëm palmën e 1000 dhe gjatë dy mandateve kemi mbjellë edhe mijëra pemë të tjera por edhe mandatin tjetër do të vazhdojmë me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe do të mbjellim më shumë se 7 000 pemë të tjera”, tha ai.

Rruga “Bashkim Taga” dhe “Jeta e Re” janë rikonstruktuar me një fond prej 54.454.002 lekë në një gjatësi rreth 2.1 kilometra dhe me sipërfaqe të asfaltuar prej  11420 metër katror dhe 5581 metër katror trotuare si dhe dhjetëra pemë e shkurre dekorative.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: