DURRES- Një ngjarje e rëndë ndodhi në Durrës, ku dy vëllezër kërcënuan se do hidheshin nga pallati. Episodi është regjistruar në lagjen nr.11 të qytetit bregdetar. Nga hetimet e policisë mësohet se shkak është bërë kthimi i banesave të tyre tek ish-pronari.

Dy vëllezërit, hipën në tarracën e pallatit, dhe me dokumentacione në dorë kërcënuan se do të hidheshin nga kati i katërt i pallatit, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ku sipas saj është vendosur që shtëpia t’u kthehet pronarëve. Ndërkohë, familjarët e tyre u bllokuan në apartament, dhe bënë të qartë nuk dalnin për asnjë arsye nga banesat e tyre.

Gazetarja e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Klodjana Haxhiaj raportoi nga vendi i ngjarjes se disponon dokumentacionin e vëllezërve Bejko, të cilët prej katër vitesh e kanë ndjekur këtë çështje ligjërisht në gjykata. Po ashtu, Haxhiaj deklaron se këto dy familje kanë edhe një vendim të Gjykatës së Lartë, e cila ka qenë në favor të të dyve. Mes të tjerash thuhet se Përmbarimi ka qenë disa herë në banesën e tyre, ku jetonte prej gati 40 vitesh, ndërsa vendimi i tyre sot është i prerë.

Pas aktit të rëndë që ndërmorën dy vëllezërit, Përmbarimi u tërhoq nga vendimi për ekzekutim të largimit nga banesa të familjeve Bejko. Ndërkaq, pas largimit të Përmbarimit dhe policisë, dy vëllezërit zbritën nga tarraca, duke hequr dorë dhe nga veprimi i tyre ekstrem.

NJOFTIMI I POLICISE
Sot, më datë 05.09 2017, në orën 10:00, bazuar në kërkesën e Zyrës Përmbarimore Shtetërore Nr. 03/5116, datë 30.08.2017, e cila kërkon mbështetjen nga Policia e Shtetit, për ekzekutimin e “Urdhërit të Ekzekutimit” Nr. 677, datë 07.10.2016 të lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për Titullin Ekzekutiv Nr.302, datë 05.20.2016 të Entit Kombëtar të Banesave, Efektivet e Policisë Durrës u paraqitën në vendin e ekzekutimit, në Lagjen Nr.11, Rruga “Baki Çela”, Pallati Nr. 204, Durrës, së bashku me Përmbaruesin Shtetëror dhe përfaqesues të Njësisë Administrative Nr.2.

Efekivet e Policisë mbërritën në adresën e mësipërme ku konstatuan se shtetasit D.B. dhe S. B, kishin hipur në tarracën e banesës duke kërcënuar se do të hidheshin nëse do vazhdohej të ekzekutohej vendimi.

Të ndodhur në këto kushte Përmbaruesi Shtetëror vendosi pezullimin e veprimeve për ekzekutim për momentin deri në qetësimin e situatës.

Sqarojmë se Policia në raste kur kemi ekzekutim vendimi nga ana e përmbarimit ka rol mbështetës, duke u marrë me vlerësimin e situatës, zbatimin e vendimit pa pasoja si dhe në funksion të parandalimit të ndonjë ngjarje të rëndë.

durres pallati (1)

durres pallati (6)

durres pallati (5)
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb