NGA: KLODJANA HAXHIAJ*
Nxjerrja në sipërfaqe e eshtrave të njerëzve, rrëzë mureve të kalasë së Durrësit, ka bërë që të vihet në alarm policia gjatë ditës së sotme. Banorë të lagjes numër një në Durrës kanë lajmëruar policinë për eshtrat e para rrëzë themeleve të murit të kalasë, që kishin dalë në sipërfaqe, nga gërmimet që bënin disa njerëz. Policia u vu në alarm, pasi u mendua se gërmimet ishin të jashtëligjshme dhe nuk kishte asnjë tabele informuese pranë amfiteatrit Romak.

2 prej arkeologëve që po drejtojnë gërmimet në këtë zonë shprehen se do të jetë Ministria e Kulturës ajo që duhet të dalë e të japë shpjegime të informojë publikun durrsak, se çfarë po ndodh në muret e kalasë së Durrësit. Ndërkohë nga ana tjetër,Ledion Lako, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare i pyetur nga ‘News 24’ tha se është në dijeni që kryhen gërmime për të cilat është dhënë leje nga këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, me firmë të Ministres.

Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së Perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Aktualisht muret mesjetare me lartësi afro 15 metra si dhe tre hyrje e disa kulla fortifikuese ruhen në afro një të tretën e gjatësisë fillestare të kështjellës së qytetit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: