DURRES- Drejtori i Përgjithshëm ALUIZNI-t, Artan Lame, ishte sot i ftuar në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku mbajti një leksion të hapur me temë “Fenomeni shqiptar i informalitetit” dhe iu përgjigj pyetjeve të studentëve të pranishëm.
Dekani i Shkencave Politike dhe Juridikut pranë këtij universiteti, Afrim Krasniqi tha se “Lame nuk vjen para studentëve thjesht si një zyrtar që merret me problematikën e legalizimeve të zonave informale, por është një nga studiuesit më të mirë të historisë së Shqipërisë dhe njohës i trashëgimisë kulturore”.

Lame në fjalën e tij preku çështjen e informalitetit si një fenomen që i ka rrënjët jo në vitin 1990, por që në antikitet e mesjetë. Lame bëri një tablo të gjatë të historisë së urbanizimit në shoqërinë shqiptare që nga Mesjeta, Perandoria Osmane, me ndërtimet e para sipas rregullave në fund të kësaj perandorie, për të ardhur tek lulëzimi i vërtetë i ndërtimeve me dy luftërat botërore, të mirat dhe të këqijat e regjimit komunist në këtë pikpamje dhe deri në ditët tona kur janë mijëra ndërtime pa leje dhe zona informale.

Duke iu referuar debatit të shumë viteve të shkuara, nëse duhet kryer më parë urbanizimi apo legalizimi, Lame tha se skema aktuale përbën një shkrirje të këtyre dy elementeve.

“Urbanizim në letër, pastaj legalizim. Që do të thotë: bëhen në letër më parë planet se si duhen legalizuar pronat, bëhet legalizimi i këtyre planeve dhe pastaj legalizimi në terren”, deklaroi Lame. LAMEEEEEE

Lame tha se gjatë tetë viteve të fundit janë legalizuar vetëm 21 mijë objekte dhe nëse do të ecej me këtë ritëm, procesi do të kërkonte rreth 30 vjet.

Aktualisht numri i objekteve në listë pritjeje për legalizim është 280 mijë dhe vetëm me rihapjen e procesit të vetëdeklarimeve deri më 31 dhjetor janë shtuar edhe 82 mijë objekte të tjera. Por, sipas kreut të ALUIZNI-t, me ndryshimet e fundit ligjore dhe një qasje të re kundrejt procesit, ai do të përmbyllet më shpejt.
“Me këto hesape del që edhe ky universitet edhe ndërtesa e ALUIZNI-t do të ishin pa leje. Por, ka një parim që nëse dy njerëz bëjnë një kundravajtje, faji është i tyre. Ndërsa nëse këtë kundravajtje e bëjnë të gjithë, atëherë është faji i ligjit”, shtoi Lame.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t iu përgjigj interesit të studentëve mbi impaktin social dhe ekonomik të procesit të legalizimit, për problematikën e ndërtimeve pa leje në zonat arkeologjike dhe turistike në Durrës, etj.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: