NGA KLODIANA HAXHIAJ*

DURRËS- Rritet numri i të prekurve me kancer që trajtohen në repartin e onkologjisë në spitalin e Durrësit. Reparti që u hap në shtator të vitit 2014 është pothuajse plot me pacientë çdo ditë.

Mesatarisht 7 pacientë në ditë kryejnë kimioterapinë në repartin e onkologjisë, ku trajtohen 2 grupe të sëmurësh. Këtu trajtohen të sëmurët paliativë që janë në stadet e fundit të jetës, dhe të prekurit me kancer gjiri dhe të zorrës së trashë që marrin shërbimin e kimioterapisë.

Është një klinikë e re, ku nuk mungon pothuajse asgjë, ndërsa ekipi mjekësor trajton pacientët me kujdesin e veçantë.

Sipas mjekes onkologe Manjola Hasa, në këtë klinikë trajtohen  të sëmurë me kancer gjiri e të zorrës së trashë që janë në stade të hershme dhe jo metastatikë. Sipas mjekëve është ulur mosha e prekjes nga kjo sëmundje dhe sa më e re mosha aq më agresive është sëmundja.

Bukurie Pashnjari, 46 vjeçe, sapo ka përfunduar plotësisht të gjitha fazat e kimioterapisë. Ajo është një prej atyre grave të forta që falë vetëbesimit e mbështetjes nga bashkëshorti e katër fëmijët, arriti të kalojë me sukses, sëmundjen e kancerit të gjirit. Në dhjetor të 2015, rastësisht u diagnostikuar me këtë sëmundje të rëndë dhe më pas nisën të gjitha ndërhyrjet, kimioterapitë, dhe sakrificat. Operacionin e bëri në Greqi, ndërsa 6 seancat e fundit të kimioterapisë i përfundoi me sukses në spitalin e Durrësit. 46-vjeçarja nga spitali i Durrësit, ku qëndron nën mbikëqyrje të mjekëve thotë se është shëruar.

Pranë saj për asnjë moment, nuk është ndarë bashkëshorti, Lemoni, i cili i ka krijuar kushte dhe ndihmë psikologjike të vazhdueshme.

Bashkëshortët i gjen në spital, ata kanë shumë mesazhe për t’u dhënë personave, dhe të afërmve të tyre, të cilët preken nga kjo sëmundje. Dashuria dhe mbështetja për të sëmurin duhet të jenë parësore. Njerëzit me guxim që e sfidojnë vdekjen ja arrijnë të jetojnë!

Mjekja Manjola Hasa thotë se fatkeqësisht është rritur numri në mënyrë drastike edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën i personave të diagnostikimit me kancer. “1 në 8 gra kanë riskun që të preken nga kanceri i gjirit  në jetë, por po kështu është rritur edhe ndërgjegjësimi për t’u diagnostikuar në fazë të hershme. Problem kryesor për mjekët është se sëmundja e kanceri, po prek moshat e reja.  Jo vetëm që vijnë raste të moshës 40 vjeçe në masë, por ka edhe nën moshën 30 vjeçe. Një 28-vjeçare është diagnostikuar me kancer gjiri rishtas”, pohoi mjekja Hasa.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: