DURRES- Në Spitallë të Durrësit nisën punimet për rrjetin elektrik 20 kilovolt, investim ky prej 4.4 miliardë lekësh nga OSHEE. Në ceremoninë e nisjes se punimeve morën pjesë kreu i OSHEE, Adrian Çela, Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, dhe kreu i bashkisë Vangjush Dako.

Linjat elektrike aktuale që furnizojnë këtë zonë janë në gjendje të keqe teknike, shumë të ngarkuara dhe humbjet në nivele të larta. Investimi i nisur nga OSHEE kap vlerën e 4.4 miliardë lekë të vjetra dhe ndikon në përmirësimin e cilësisë së furnizimit për mbi 2500 abonentë familjarë e biznese.

“Po zbatojmë një plan të mirëmenduar investimesh gjatë këtij viti. Janë investimet më të mëdha që po ndodhin në sektorin energjetik gjatë viteve të fundit, investime që këtë vit parashikohen nga Operatori i Shpërndarjes të shkojnë mbi 40 milion dollarë. Këto ndërhyrje direkte ndikojnë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike, në uljen e humbjeve në rrjet. Do të thotë më shumë siguri nga pikëpamja energjetike dhe siguri që sistemi do të ecë mbi baza të shëndosha”, theksoi ministri Gjiknuri.

Sipas tij, lufta ndaj informalitetit në energji dhe kontributi e mbështetja e qytetarëve po përkthehet në investime që synojnë një shërbim më të mirë për qytetarët.

Administratori i OSHEE-së Adrian Çela tha se investimi garanton përmirësimin e fuqisë së tensionit tek abonentët pasi do të ketë ndërhyrje në rrjetin 20 kilovolt.

“Janë një numër i konsiderueshëm kabinash të reja që ndërtohen dhe që rikonstruktohen. Investimi garanton uljen e humbjeve teknike të energjisë. Pra, gjithë kjo që ka qenë një zonë informale, me një rrjet me vjetërsi prej 40-50 vitesh rinovohet tërësisht brenda 6 muajve”, sqaroi Çela.

OSHEE në kuadër të investimit do të rikonstruktojë kabinat 6/0.4 kV; do të rregullojë dhe sistemojë rrjetin ekzistues të tensionit të ulët 0.4 kV sipas standarteve dhe parametrave bashkëkohor; do të rrisë nivelin e tensionit në konsumatorë dhe sigurojë vazhdueshmërinë e furnizimit me energji elektrike të konsumatorve dhe bizneseve ne zonë.

Ndërtimi i rrjetit të ri do të eleminojë mundësinë e abuzimit me energjinë elektrike nga abonentët e kësaj zone duke vendosur edhe adresa të sakta faturimi në sistemin billing. Projekti i ndërhyrjes rrit edhe sigurinë e furnizimit me energji për hidrovorin e Porto Romanos si objekt i rëndësisë së veçantë për të gjithë zonën.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb