DURRËS- Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur 4 subjekte me nga 350 mijë lekë të reja, pasi nuk kanë zbatuar ligjin antiduhan. Inspektimi i sotëm në Durrës është pjesë e planit të punës të inspektimeve të përbashkëta mes Inspektoratit Shëndetësor dhe AKU-së, ndërsa do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit nga ana e Institucioneve të sipërpërmendur.

“Në inspektimin e sotëm inspektorët e ISHSH dhe AKU morën 4 masa administrative me vlerë 300 000 lekë të reja për 4 lokale ku nuk zbatohej ligji në fjalë dhe 2 masa administrative me vlerë 5 000 lekë për individë qe shkelnin ligjin në fjalë”, thuhet në njoftimin e ISHSH.

Inspektimi u ndoq nga afër nga vetë Kryeinspektori Eltar Deda si dhe Drejtori i AKU-së Afrim Bakaj, Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të cilët njëzëri theksuan vendosmërinë e Institucioneve të drejtuara nga ata për zbatimin e ligjit antiduhan në mënyrë konstante në të gjithë vendin.

“’Ngritja dhe funksionimi i strukturave lokale të ISHSH do të thotë përmirësim i mëtejshëm i një pune të filluar mirë në të gjithë vendin. Për shkelësit e ligjit toleranca do të jete zero dhe zbatimi i ligjit është i njëjtë për të gjithë”, tha kryeinspektori Deda.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb