DURRES – Arrestohet në Portin e Durrësit një 27-vjeçar, i cili tentoi të trafikonte drejt Italisë një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike. Burime nga Policia e Durrësit bëjnë të ditur se në pranga ka rënë shtetasi Artur Gjergji, banues në Durrës, në automjetin e të cilit u gjetën 111 kg lëndë narkotike, e llojit kanabis sativa.

Sipas Policisë së Durrësit, “pas kontrollit në skaner të automjetit tip “Renault”, me targë AA241ND, u gjetën të fshehura në brendësi të saj 66 pako të mbështjella me natriban, gjithsej 111 kilogramë Cannabis Sativa.”

NJOFTIMI I PLOTE I POLICISE
Policia Kufitare në bashkëpunim me Sektorin kundër Narkotikëve dhe Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave gjatë mbrëmjes së djeshme kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast trafiku ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Më datë 29.08.2016, rreth orës 20:00, në PKK Port, Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Sektorin kundër Narkotikëve pas kontrollit në Skaner të automjetit tip “Renault”, me targë AA241ND, ku u dallua një send i dyshimtë, e kanë kaluar këtë automjet për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë.
Nga kontrolli i imtësishëm i kryer në vijën e dytë në krye të karrocerisë në brendësi të saj u gjetën të fshehura 66 pako të mbështjella me natriban, gjithsej 111 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.
Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët kundër Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit, shtetasit:
• Artur Gjergji, 27 vjeç , banues në Durrës.
Vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”parashikuar në nenin 283/a të Kodit Penal.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: