“Dyrrah” sjell një koleksion të rrallë fotosh. Të gjitha i përkasin 6- ­mujorit të parë të vitit 1914 ku spikasin edhe ato të dom Nikollë Kaçorrit dhe funerali i kolonelit Tomson si dhe fotot e trazirave të asaj periudhe.

Diplomati dhe politikani italian, Antonino Paternò­Kastelo, Markezi i gjashtë i San Xhulianos (Antonino Paternò­Castello, Marchese di San Giuliano, 1852­1914), lindi në Katania të Siçilisë. Studioi për drejtësi dhe u zgjodh deputet në parlamentin italian. Nga dhjetori 1905 deri në shkurt 1906 ishte Ministër i Punëve të Jashtme të Italisë. Në periudhën 1906­1910 ishte Ambasador në Francë dhe në Britaninë e Madhe, kurse në prill të vitit 1910 u kthye në Romë. Nga kjo kohë deri në vdekjen e tij, në tetor të vitit 1914, ishte përsëri Ministri i Punëve të Jashtme.

Markezi i San Xhulianos kishte një interes të theksuar për Shqipërinë, – kuptohet në mbështetjen e interesave italiane në vend,­ dhe mbështeti fuqimisht pavarësinë e vendit në vitin 1912. Mirëpriti Princ Vidin si Mbret i Shqipërisë dhe vëzhgoi nga afër ngjarjet e turbullta të pranverës së vitit 1914. Markezi ishte edhe mbledhës i pasionuar i fotografive dhe kartolinave. Shumica e fotografive të këtij koleksioni janë kartolina që ai ia dërgoi njërën pas tjetrës nuses së të birit të vdekur, Maria Paternò­Castello, Marchesa di Capizzi (1881­1936), e cila për fat i ruajti.

Në fund të viteve ‘70 koleksioni u zbulua në tregun e pleshtave të Palermos dhe u ble nga diplomati italian Ferdinando Saleo (l. 1936). Ky koleksion u botua nga profesori Giuseppe Giarrizzo (l. 1927) i Universitetit të Katanias në vëllimin “Diario fotografico del Marchese di San Giuliano”, Palermo 1984, dhe nga vetë Saleo në librin “Albania: un regno per sei mesi”, Palermo 2000 (Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri, Tiranë 2000). Ky koleksion përbën një dokumentacion të pakrahasueshëm për Shqipërinë gjatë sundimit të shkurtër të Princ Vidit.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: