Kreu i PD, Lulzim Basha ka pritur sot në zyrë dy ish-funksionarë të PS në Durrës, Serian Mazrekun dhe Ardit Kërtushën që kanë braktisur ish-partinë e tyre për t’u bërë pjesë e demokratëve para zgjedhjeve të 25 prillit.

Ata kanë denoncuar se fushatën e PS në Durrës ende e drejton Vangjush Dako, një person shumë i padëshiruar aty por dhe nga SHBA. Sipas tyre kjo ndodh sepse PS ka etje për pushtet me dhunë.

Nga ana tjetër lideri i opozitës, Basha, u shpreh se ai dëshironte të shihte një garë idesh dhe programesh ndërmjet partive, gjë që nuk po ndodh sepse pushteti nuk ka paraqitur alternativë. Basha u tregua entuziast për faktin që ka socialistë që duan ndryshim dhe e gjejnë ndryshimin tek Partia Demokratike. Basha mirëpriti kontributin e socialistëve durrsakë dhe u bëri ftesë të gjithë socialistëve që e duan vendin dhe duan të bëjnë ndryshim për hir të të ardhmes së fëmijëve të tyre.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Të rinjtë socialistë u shprehën të revoltuar me klimën politike brenda partisë së tyre, me cinizmin dhe notat groteske që mbizotërojnë në gjuhën politike të drejtuesve të saj. Kërtusha vuri në pah dallimin që ai shihte ndërmjet Bashës dhe Ramës kur theksoi se “këtu gjej një lider larg ironisë, notave groteske dhe shpërfilljes”. Ai dënoi gjuhën e urrejtjes dhe bëri thirrje që “të heqim një drejtues i cili nuk mund të drejtojë më as shtëpinë e tij, Partinë Socialiste, jo më vendin, Shqipërinë”.

Ndërsa lideri i opozitës Basha tha se më 25 prill nuk çlirohet vetëm Shqipëria, por edhe Partia Socialiste. Sipas tij, me ndryshimin e pritur të 25 prillit, fiton Shqipëria, fitojnë edhe socialistët e zakonshëm. “Do ta ndërtojmë këtë vend që është i bekuar nga Zoti me burime njerëzore dhe natyrore” tha Basha ndërsa theksoi se filozofia e tij politike nuk është përçarja, por bashkimi në të mirë të vendit. Kalimin e tyre nga PS tek PD, kryedemokrati e quajti kalim nga projekti i dëshpërimit në projektin e shpresës dhe shfaqje e besnikërisë së tyre ndaj Shqipërisë.

Në fund, Basha u ka uruar mirëseardhjen dy funksionarëve socialistë që iu bashkuan Partisë Demokratike për të sjellë ndryshim në Shqipëri pas 8 vitesh dështime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb