Delegacionet e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e BE kanë akuzuar njeri-tjetrin për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura Kosovë-Serbi.

Në Bruksel për dy ditë radhazi u takuan delegacionet e Kosovës dhe Serbisë me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, por nuk u shënua asnjë përparim.

Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të deritashme. I ngarkuari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, diskutimet e delegacioneve në Bruksel që i zhvilloi edhe ndarasi edhe bashkë.

Ai i quajti ato përmbajtjesore. “Diskutime të gjera për elementet e dialogut, marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në drejtim të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në Twitter.

Pala serbe nuk ka përmbushur detyrimet

Pala kosovare e kryesuar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që është i ngarkuar me çështjen e dialogut, tha se në takim është diskutuar për marrëveshjet e arritura deri tani në kuadër të dialogut dhe për vërejtjet që kanë palët në lidhje me zbatimin e tyre.

“Ne kemi parashtruar vërejtjet tona për marrëveshjet në lidhje me hapat e deritanishëm të Serbisë, për shembull për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes, pastaj marrëveshjen e fusnotës, pasi kemi parë që pala serbe nuk i ka përmbushur detyrimet e saj ndaj këtyre marrëveshjeve”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Serbia: Asociacioni kusht mbi kushtet

Nga ana tjetër edhe pala serbe e kryesuar nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se pala kosovare asnjëherë gjatë bisedimeve nuk e përmendi çështjen e të zhdukurve ose formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Ne u kemi thënë atyre se Asociacioni është kusht mbi kushtet nëse duam të ecim më tej. Asociacioni nënkupton realizimin e të gjitha të drejtave të qytetarëve serbë, sepse incidente të shumta janë vetëm provë se sa i nevojshëm është formimi i tij”, tha Petar Petkoviq. Sipas tij, Serbia i ka përmbushur pothuajse të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut dhe se ankesat e delegacionit të Kosovës kishin të bënin kryesisht me çështje teknike të zbatimit të tyre.

Ndonëse vetë Lajçak më herët tha, se takimet e delegacioneve kosovare dhe serbe në Bruksel janë parapërgatitje për takimin e radhës të nivelit të lartë ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit në fund të korrikut, nuk u përmend data e saktë e këtij takimi.

Asociacioni mbetet pika ndarëse

Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë pika më e fortë ndarëse në dialogun Kosovë-Serbi. Serbia insiston në formimin e Asociacionit, por kjo refuzohet në mënyrë kategorike nga Prishtina zyrtare. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sërish ka deklaruar se nuk mund të ketë Asociacion të Komunave mbi baza etnike dhe sipas tij kjo është përcaktuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zemë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por, Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, ka theksuar Kurti pas deklaratave të njëpasnjëshme edhe të zyrtarëve amerikanë, të cilët besojnë se Kosova e ka detyrirm që ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Së fundmi, dy ditë më parë këtë e tha edhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer në një intervistë për median kosovare Rtv 21. “Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është detyrim, të cilin e kanë marrë institucionet e Kosovës dhe duhet ta zbatojnë”, tha Palmer duke theksuar se “ekzistojnë mekanizma, përmes të cilave Kosova mund ta zgjidhë këtë çështje në përputhje me Kushtetutën e vet”. /DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb