Nga: KIÇO BLUSHI*
Evropa do të kremtojë së shpejti dy 9 Maj-e: 70-vjetorin e fitores mbi nazi-fashizmin dhe 65-vjetorin e krijimit të Evropës së Bashkuar. Baballarët strategë të BE-së, largpamës dhe humanistë, sa kombëtaristë aq edhe evropianistë, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer, jo rastësisht e përzgjodhën datën 9 Maj. Ata synuan të përbashkojnë qëllimin me simbolikën në një datë të vetme, duke dashur t’i dëshmojnë kësisoj historisë, kujtesës së popujve e të krerëve të mëpasshëm të Evropës rëndësinë kuptimore të njëjtësimit evropian: që fitorja e koalicionit kundër fashizmit do të ishte pa kuptim e, për më tepër, jetëshkurtër dhe e rrezikuar pa një koalicion të dytë, të paqes, i cili do të projektonte shuarjen e trashëgimisë së konflikteve, ndërurrejtjes, dasive, dallimeve, kufijve, mendësive e pamundësive, si dhe ndryshimeve ekonomike dhe kulturore mes popujve të Evropës. “Nëse dje ishte detyra jonë të ishim armiq, sot është e drejta jonë të bëhemi vëllezër”. “Europos”: “Sheh më mirë, kush sheh larg”… “Jus est ars boni et Sequi” = “E drejta është art i së mirës dhe paanshmërisë”… Këto ishin disa nga parimet morale të ideatorëve të Evropës së Bashkuar e konkretisht të Shumanit dhe Adenaurit, të cilët ndryshuan në themel botën, jo vetëm atë evropiane.
 
Të rrënuara pas dy luftërave botërore, shembullin e pajtimit do të duhej ta jepnin më së pari Franca dhe Gjermania, duke u ngritur mbi hirin dhe gjakun e shekujve në armiqësi, por edhe mbi paragjykimet e ndërsjella, ende të përndezura, e veçanërisht mbi interesat ekonomike, si industria e çelikut dhe e qymyrit në kufi, që kishte pas qenë molla e sherrit për luftëra e për konflikte të pashtershme mes francezëve dhe gjermanëve e jo vetëm atyre.
Sot duket i habitshëm 9 Maji i dytë i vitit 1950, paçka se pas 65 vjetësh, popujt e vegjël të të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, por edhe ata të periferisë së Evropës, si Turqia, Ukraina dhe Rusia, jo vetëm që nuk janë bërë pjesë e Evropës së Bashkuar, por po ndihen më larg pas dy 9 Maj-eve që mundësuan mbarimin e luftës më të përgjakshme të historisë njerëzore, paçka se deri te 9 Maji i 1945-ës Ballkani Perëndimor dhe Rusia kishin pas qenë aleatë të rëndësishëm të koalicionit antifashist.
Janë shembur pra muret ndarëse mes Berlinit, Parisit, Varshavës, Romës, Madridit e Londrës, por nuk është shembur ende muri ideologjik e kulturor, i trashëguar, i paragjykuar e me sa duket edhe i çimentuar në periferitë e Evropës, në Ballkan e kryesisht në kufijtë me Rusinë e Turqinë, Azinë dhe Afrikën. Muri me Rusinë mban ende ngjyrën e “ariut rus”, muri me Azi-Afrikën ka ngjyrim fetar, muri me vendet e Ballkanit Perëndimor, prej një çerek shekulli, po vazhdon e nuk po e sos procesin e ashtuquajtur “integrim” për të ndihur shkëputjen prej prapambetjes anadollake dhe anarkisë “demokratike”, dukuri këto që i trembin aq shumë filistinët evropianë, të cilët e kanë më të lehtë të pajtohen me nazistët ksenofobë, sesa me idetë humaniste e përbashkuese të Robert Shumanit e Konrad Adenauerit…
Si përfundim, sot askush nuk e di ku është caku fundor i BE-së dhe kur do të ndalet e do të soset procesi i stërzgjatur, si një atavizëm, i integrimit. Nuk e shpjegon kush përse në vitin 2015 do të kremtohen të ndara me thikën e bojkotit, në dy kampe e llogore të dy 9 Maj-et, kur 65 vjet më parë u projektua e kundërta. Është njoftuar pra që 9 Maji i fitores mbi fashizmin, që do të zhvillohet në Moskë, do të bojkotohet qëllimisht e politikisht nga aleatët e dikurshëm të koalicionit antifashist (përveç Serbisë, e cila ka deklaruar se do të parakalojë në Moskë), për shkak të Putinit dhe ngjarjeve në Ukrainë, ndërsa 9 Maji i dytë, që do të kremtohet në kryeqytetet e BE-së, ka për të qenë edhe ai i braktisur nga Rusia, si reagim paralel ndaj bojkotit dhe sanksioneve.
Ndarja me thikë e dy datave historike, për fat të keq, nuk është ndjellamirë. Kjo është një tjetër provë e dëshmisë se Lufta e Ftohtë nuk ka sosur dhe se nacionalizmi, dallimet politike, kulturore, fetare dhe ekonomike, të cilat janë shoqëruar aq shpesh edhe me konflikte, me luftëra lokale, me spastrime etnike monstruoze, me krime, përbuzje, racizëm dhe urrejtje, vazhdojnë të gëlojnë jo vetëm në kufijtë e largët me Afrikën dhe Azinë, po edhe brenda Evropës, sikundër ndodhi në ish-Jugosllavi, në Bosnjë, Kosovë, Krimè e si po rrezikohet tash të ndodhë edhe me Maqedoninë e sotme e sidomos me Ukrainën…
Pyetja gjithsesi nuk është vetëm diplomatike: përse dhe kujt i leverdis të ndahen dy 9 Maj-et? Ç’potencial përcjell për të ardhmen kjo dasi shtetesh?
 ***
Nga popujt e Lindjes është shpresuar që në këta 25 vjet politikanët e sotëm mund të kishin pas qenë vizionarë e, pse jo, edhe po aq të shenjtë sa baballarët e BE-së, d.m.th. jo asish pragmatistësh meskinë e dritëshkurtër që nuk shohin më larg hundës së kombit të tyre. Vetëm kështu Evropa do të kishte pas qenë e do të mund të bëhej përnjëmend shembull i pakthyeshëm i vëllazërisë, paqes dhe harmonisë mes kombeve dhe kulturave të ndryshme. “Toka e premtuar” e popujve të shtypur e të vuajtur në shekuj, të dalë nga diktaturat, nuk do të lakmohej e nuk do të sulmohej nga vërshimet e refugjatëve të dëshpëruar, po qe se Evropa e Bashkuar do të ishte më e hapur, duke e ndarë më bujarisht e më me mençuri mirëqenien dhe standardin e saj të lartë të lirisë dhe të ekonomisë me “popujt e varfër e të prapambetur të periferisë”. Jo se kanë munguar ndihmat, porse ato nuk janë shfrytëzuar me efikasitet, në mos edhe janë shpërdoruar, duke mbjellë, në vend të shpresës, zhgënjim e padurim.
Mësim-premtimet-vendimet e 9 Majit të dytë, që e ngritën nga hiri BE-në e sotme, si një iluzion panevropian, janë jetësuar edhe me do barriera e pengesa të reja të quajtura standarde, integrim, d.m.th. me “detyra shtëpie” për secilin popull (duke i vënë festen që i takon secilit syresh), të cilat në të vërtetë kanë synuar më së tepërmi të mbajnë larg murin ndarës të mirëqenies së BE-së, se ta rrëzojnë, nëpërmjet statuskuosë, pa e stimuluar zhvillimin e përparimin nëpërmjet një strategjie të qartë “evropianizimi”. Si rrjedhim, sa më shumë kohë kalon, aq më i vështirë e i largët duket horizonti i anëtarësimit të popujve që kanë mbetur jashtë, pra për fajin tonë, e, pse jo, edhe për shkak të mungesës së strategjisë dhe qëllimit të qartë.
Bullgaria dhe Rumania që u pranuan së fundi, me problemet sociale që sollën me vete, e shtuan këtë dilemë dhe largësi. Por ka edhe jo pak bullgarë e rumunë skeptikë që thonë se dje, pa u futur në BE, ishin më mirë, për shkak të politikave shtrënguese të Brukselit për tregun e përbashkët, për çmimet e njëjtësuara të mallit, për pagat e diferencuara si dhe për prodhimin e diktuar sipas interesave e nevojave të korporatave gjigante të shteteve më të fuqishme, si të Gjermanisë, p.sh. Anëtarësimi i popujve që dolën nga komunizmi u bë më shumë me/mbi kritere politike e gjeografike, pse jo edhe me/mbi interesa të përfitimit ekonomik, sesa me/mbi një platformë apo strategji të qartë për integrimin. Ky çerek shekulli provoi që BE dhe SHBA nuk e kanë pritur e besuar se do të binte kaq lehtë komunizmi, ndaj u gjendën të papërgatitur. Por kjo inerci po vazhdon prej një çerek shekulli. Tepër gjatë për ritmin e zhvillimit që ka sot bota e globalizuar. Kjo ngadalësi e lë pa përgjigje pyetjen: Si do të jetë bota nesër? Kriza e fundit, jo vetëm e Greqisë, por edhe dalja në skenë e ISIS, si dhe aktet terroriste në Par, i kanë shtuar dyshimet e dilemat, duke mjegulluar edhe më horizontin e integrimit. 
***
Në trekëndëshin gjeografik, ku përfshihen Bosnja, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, po fashitet padurimi dhe shpresa për t’u integruar në BE dhe po shtohet, jo rastësisht, ndikimi i Turqisë dhe i vendeve arabe mbi to. Fakti që në këto zona nuk po rresht emigracioni dhe përditë po ndërtohen xhami (më shumë se shkolla e spitale) e po gjallërohet ekstremizmi fetar, me fonde e fondacione arabe, është ana e dukshme e gjeopolitikës dhe e investimeve “strategjike”, ndërsa pjesëmarrja jo e pakët e të rinjve fanatikë (shumica të varfër, të papunë e të pashpresë) që shkojnë të luftojnë vullnetarisht për ISIS-in, tregon se sa duarjashtë ka pas qenë në këto zona politika integruese e Brukselit.
Kjo sepse krerët e sotëm euroatlantikë në këtë çerek shekulli kanë kërkuar më së tepërmi stabilitet me çdo çmim sesa standarde demokratike me çdo kusht. Ata kanë mbyllur sytë e kanë toleruar qeveritë autoritare, udhëheqësit delirantë dhe zullumqarë, të cilët kanë shkatërruar ekonominë, votën, fjalën, mjedisin dhe shpresën te sistemi demokratik, mjaft që t’u jepnin kancelarive të Evropës garanci e siguri për stabilitet në rajon. Fatkeqësisht, Evropa tronditet dhe zgjohet nga gjumi letargjik i rehatisë vetjake vetëm kur i ndodh një “Charlie Hebdo”…Prandaj ka ardhur koha, – në mos është tepër vonë, – që të hapen e të kthehen sytë e mendjes nga Robert Shumani, që “të shihet më mirë e sa më larg”. Ky do të duhej të ishte interesi primar i BE-së.
 ***
 Jo vetëm popujt e Evropës së Bashkuar i besuan me ngazëllim Deklaratës, 65 vjet më parë, por edhe ata të periferisë. Sepse në Deklaratë atëbotë besohej sinqerisht se: “Popujt dhe kontinentet varen më shumë se kurrë nga njëri-tjetri, sa për prodhimin e të mirave, aq dhe për shitjen e tyre; sa për shkëmbimin e rezultateve të kërkimeve shkencore, aq dhe atë të krahut të punës të domosdoshëm për mjetet e nevojshme të prodhimit. Ekonomia politike bëhet pashmangshmërisht botërore. Kjo ndërvarësi sjell për pasojë faktin që fati i lumtur ose jo i një populli nuk mund t’i lërë të tjerët indiferentë. Për një evropian që mendon, nuk është më e mundur të kënaqet me një keqdashje makiavelike nga mungesa e fatit të fqinjit; të gjithë janë të lidhur për të mirë a për të keq në një fat të përbashkët”. Si të mos ngazëlleheshin dhe të mos flinin me këtë ëndërr popujt që kishin vuajtur aq shumë nga shtypja dhe mungesa e lirisë?! E megjithatë, sot, duke i ndarë politikisht të dy 9 Maj-et, po i hidhet benzinë euroskepticizmit, këtij zjarri përvëlonjës që sa vjen e po forcohet, në vend që të shuhej, pas 65 vjetësh.
Atë ditë, pra më 9 Maj 1945, pas shpalljes së Deklaratës, gazetarët i bënë pyetje të shumta ministrit të Jashtëm francez Robert Shuman: “A është edhe Rusia në Evropë?” “Patjetër që po”, u përgjigj Shumani, pa u mëdyshur. Kurse në vitin 2015, kjo pyetje jo vetëm që nuk bëhet, por shkohet deri aty sa të bojkotohet edhe 9 Maji i parë, ai i fitores së përbashkët kundër nazi-fashizmit, edhe pse njëra datë lindi, pas pesë vitesh, të dytën…Kush e mendonte më 9 Maj të 1950-ës se do të ringjalleshin partitë naziste, raciste dhe ksenofobe që do të kundërshtonin hapur konceptin e Evropës së Bashkuar dhe bashkëjetesën mes popujve? Po a ka rëndësi kush e ka fajin për këtë dasi të dy 9 Maj-eve: Merkeli apo Putini, Holand apo Kameruni?…E sigurt është që këta fajtorë pa faj kanë “harruar” thelbin e Deklaratës: “Të gjithë popujt janë të lidhur për të mirë a për të keq në një fat të përbashkët”.
 ***
Në vitet ‘90, pas shembjes së Murit të Berlinit, pra pas përmbysjes të komunizmit, paska pasur një ide të shkëlqyer: të krijohej një tjetër BE, e dytë, me vendet e dala nga sistemet totalitare të Lindjes, në mënyrë që edhe ato, së toku, të integroheshin, të demokratizoheshin, të përparonin, të pajtoheshin mes vedi si dhe të afroheshin me standardet ekonomike dhe kulturore të Evropës së Bashkuar. Pas këtij procesi të domosdoshëm, që do të kushtonte më pak kohë dhe investime, vendet do të bashkoheshin në një BE të vetme. Por në vend të kësaj ideje të mrekullueshme, zbatimi i së cilës do të kishte shmangur telashet, shpenzimet, vështirësitë e shumta të integrimit, konfliktet ndëretnike, prapambetjen, varfërinë, pabarazinë, depresionin, deziluzionin, valët e papërballueshme të emigracionit e të krimit si dhe investimet jo të pakta monetare dhe intelektuale të BE-së, u eksperimentua dhe u zbatua parimi i “tenxheres me presion”. Popujt e periferisë, të cilësuar “pa kulturë dhe tradita demokratike”, të dalë nga mjerimi dhe sistemet totalitare, u lanë “në rënie të lirë”, në duart e krerëve të rinj, të cilët jo vetëm ishin pa përvojë e pa vizione, por edhe të indoktrinuar e të prirur për t’u kthyer në oligarkë, në shëmbëlltyra karikaturale të ish-diktatorëve pararendës. BE, nuk diti, nuk mundi apo nuk deshi të luante rolin e tutorit të përgjegjshëm për fëmijët plëngprishës? Sigurisht, jo atë rol tutori që “as të kap e as të lëshon”, si në Kosovë, mision që thuajse ka dështuar (me përjashtim të ndërhyrjes së NATO-s), apo edhe duke e importuar me dhunë demokracinë, si u veprua në vendet ku u eksperimentua “pranvera arabe”, por nëpërmjet një platforme të frymëzuar e të sendërtuar me/mbi parimet e Deklaratës.
Për shkak të zbatimit të eksperimentit të “tenxheres me presion”, valvula e së cilës vazhdon të mbahet mbyllur nga komisionerët (mjaft që të ketë stabilitet në rajon), entuziazmi për integrimin dhe zgjerimin po këmbehet me shpërthime nacionaliste, me emigracion, me fanatizëm fetar, me urrejtje, me shtim të frikshëm të kriminalitetit, me zhgënjim e skepticizëm jo vetëm ndaj krerëve vendorë, por edhe ndaj sistemit të demokracisë. Drejtuesit e sotëm të BE-së fatkeqësisht nuk e dinë që “tenxherja me presion”, e lënë gjatë mbi zjarr, me valvul të bllokuar, do të shpërthejë e do t’i kapërcejë kufijtë e muret edhe të shtëpive dhe shoqërive të tyre…
Ja përse ka ardhur koha që Evropa e Bashkuar të kthehet te Robert Shumani. Sepse vetëm idealistët, reformatorët dhe humanistët e mëdhenj, me sa duket, kanë të drejtë të ringjallen si Krishti.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb