LEZHË

Policia e Lezhës ka arrestuar 4 persona gjatë 24 orëve të fundit për vepra të ndryshme penale. Dy prej tyre janë arrestuar për dhunë në familje, dy të tjerë pasi drejtonin mjetet të dehur dhe pronari i një restoranti është proceduar penalisht për ndotje të ajrit.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Shefqet Rusi, 42 vjeç, banues në Zejmen, Lezhë, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Po kështu u bë ndalimi i shtetasit Luan Zefi, 37 vjeç, banues në lagjen “Nënë Tereza”, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Alfred Margjonaj, 42 vjeç, banues në Kallmet, Lezhë dhe Shkëlzen Reçi, 37 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Rrethi i Shëngjinit” dhe në Fushë Milot, duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin u procedua penalisht për veprën penale “Ndotja e ajrit”, shtetasi Artur Malçi, 63 vjeç, banues në Kurbin, pronari i një restoranti. Procedimi ndaj këtij shtetasi ka filluar, pasi punonjësit e restorantit, me dijeninë e tij, kanë hedhur mbeturina në shtratin e lumit Mat.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb