Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Dy deputetët e Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj e Pjerin Ndreu kundërshtuan dje projektligjin e paraqitur nga qeveria në Kuvend për ata që quhen sinjalizues të korrupsionit në administratën publike. Projektligji “Për mbrojtjen e sinjalizuesve” u diskutua dje në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare dhe në diskutimet e tyre, deputetët Ndreu e Sterkaj u shprehën se ky ligj, nëse do të miratohet, do të sjellë edhe raste abuzimi kundër disa grupeve.

Projektligji u miratua në parim në këtë komision. “A keni menduar ndonjëherë se ky projektligj mund të kthehet në një aktivitet real kundër grupimeve të ndryshme, në sektorë të ndryshëm? E shoh me merak këtë pjesë”, – ishte pyetja në formë shqetësimi i deputetit socialist, Paulin Sterkaj. Ndërsa kolegu i tij po socialist, Pjerin Ndreu, u shpreh: “Duhet të mbyllen hapësirat për njerëzit që mbajnë vendet e punës me spiunllëqe, sepse intrigantët, spiunët dhe servilët janë të parët e vendit në Shqipëri”. Edhe kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, shprehu disa rezerva, duke ia kaluar Komisionit të Ligjeve për rishikim. Zv/ministri i Drejtësisë, Idlir Peçi, u shpreh se ky ligj është i domosdoshëm për të siguruar fakte, të cilat shpesh i mungojnë prokurorisë për të vijuar hetimin e çështjeve.

“Duhet të minimalizojmë justifikimin apo ankesën e prokurorisë se nuk nis dot hetime për shkak të informacionit, që është i pamjaftueshëm”, ishte një nga argumentet që solli zv/ministri i Drejtësisë për të mbrojtur projektligjin. Pavarësisht kundërshtimeve, deputetët e maxhorancës e miratuan në parim projektligjin për sinjalizuesit, ndërsa miratimin nen për nen e shtynë pas rishikimit të draftit nga Komisioni i Ligjeve.

Projektligji “Për mbrojtjen e sinjalizuesit” u propozua nga qeveria me idenë për të mbështetur ata që sinjalizojnë rastet e korrupsionit në administratë dhe atyre që e denoncojnë këtë korrupsion përmes këtij ligji u garantohet një mbrojtje e veçantë.

“Qëllimi i këtij ligji është: a) parandalimi dhe goditja e korrupsionit në sektorin publik e privat; b) mbrojtja e individëve që sinjalizojnë veprimet apo praktikat e dyshuara të korrupsionit në vendin e tyre të punës; c) nxitja e sinjalizimit të veprimeve apo praktikave të dyshuara të korrupsionit”, përcakton projektligji. Në projektligj futen edhe termat “mbrojtje e sinjalizuesit nga hakmarrja”, siç mund të jetë pushimi i tij nga puna apo transferimi, ku kompetencat për ta pezulluar këtë akt juridik i ka sërish Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive.

Gjithashtu, në projektligj shtohet në nenin 20 se, nëse sinjalizuesi dëmtohet nga hakmarrja, atëherë ai ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim financiar, ku çdo veprim hakmarrjeje në detyrë, pra hakmarrje administrative, varion me gjoba nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb