Ish kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi është në gjendje të qëndrueshme dy ditë pas shtrimit në spital me koronavirus, tha mjeku i tij të shtunën.

“Kjo ngjall optimizëm, të kujdesshëm, por të arsyeshëm,” tha Dr. Alberto Zangrillo në një deklaratë të shkurtër.
Berlusconi, 83 vjeçar, u testua pozitiv për COVID-19 të mërkurën dhe u dërgua në spitalin San Raffaele të Milanos të nesërmen, pasi kaloi një ethe të lehtë. Një radiografi e mëvonshme zbuloi se ai kishte një pneumoni të lehtë në të dyja mushkëritë.

Dr. Zangrillo, i cili ngjalli polemika në muajin maj kur tha se koronavirusi po e humbiste fuqinë, u tha gazetarëve se kishte vendosur që ta shtronte në spital zotin Berlusconi si masë paraprake, duke pasur parasysh moshën e tij dhe problemet e mëparshme shëndetësore.

Manjati i medias iu nënshtrua një operacioni në zemër në vitin 2016 dhe i ka mbijetuar gjithashtu kancerit të prostatës.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb