Ministri i jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj i ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë listën e përbashkët dy ditë para zgjedhjeve në Serbi.

Serbia shkon në zgjedhje të përgjithshme të dielën teksa Lugina e Preshevës shkon për herë të parë me listë të unifikuar të partive shqiptare.

Cakaj kërkon nga shqiptarët pa asnjë dallin që me vetëdije të lartë kombëtare duke lënë pas llogaritë e ngushta politike të mbështesin masivisht listën e përbashkët të shqiptarëve.

 

 

 

STATUSI NGA GENT CAKAJ

Sot më tepër se kurdo herë tjetër:

ruajtja e frymës së bashkëpunimit ndër-partiak e unitetit të brendshëm politik është e rëndësisë së patjetërsueshme në Luginën e Preshevës dhe jo vetëm.

Kjo, mes tjerash, përfshin edhe shmangien e çdo pengese, kërcënimi, apo fushate të pavërtetash nga partitë që kanë mendim ndryshe për këtë ndërmarrje, vetëm e vetëm në të mirë të shqiptarëve.

Pavarësisht se ekzistojnë shumë parti shqiptare, atje duhet të ketë vetëm një faktor politik shqiptar: me platformë të unifikuar në shërbim të mbrojtjes e lartësimit të të drejtave të tyre kombëtare.

Ndaj, ju lutem: mbështetja masive dhe e fuqishme e listës së Luginës së Bashkuar është skajshmërisht e rëndësishme nga të gjithë pa asnjë dallim.
Kësaj rradhe, sjellja e përgjegjshme politike e vetëdija e lartë kombëtare duhet të mbizotërojnë llogaritë e ngushta partiake.

Asgjë nuk përfundon me këtë ndërmarrje: mbështetja e kësaj liste është thjesht pikëfillimi i një pune të përbashkët sistematike, për t’i trajtuar të gjitha çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës një e nga një!

Ndaj, kësaj rradhe me fort përgjegjësi politike e vetëdije kombëtare: të gjithë në mbështetje të listës së Luginës së Bashkuar


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb