Me dy djemtë e tij, Granitin dhe Taulantin, që luajnë në dy kombëtare të ndryshme, të dyja të kualifikuara për Kampionatin Evropian, babai, Ragip Xhaka nuk mund të kërkojë më shumë nga jeta.

Është e vështirë që të kapësh këtë njeri. Ka shumë njerëz që duan të flasin me të. Duan të dinë se si është të jesh babai i dy djemve, që janë kualifikuar me dy kombëtare të ndryshme në Europian. Graniti, 23 vjeç, me vendin që është bërë atdheu i dytë për babain Ragip. Taulanti, 24 vjeç, me Shqipërinë, vendin ku i kanë rrënjët. “Ndonjëherë nuk e besoj atë që ka ndodhur. Jam babai më krenar në botë”, thotë Ragipi.

Përpara 25 vitesh erdhi në Zvicër si i përndjekur politik. Së bashku me gruan e tij. Ai punon si kopshtar, ajo pastron. Kurrë më parë nuk e kishin imagjinuar se do vinte kjo ditë. Që dy djemtë e tyre të bëhen yje futbolli. Që të dy kanë pjesën e tyre të madhe në kualifikimin e dy vendeve.

Po sikur në verën tjetër në Francë të ketë një duel mes vëllezërish? Kjo nuk përjashtohet. Zvicra është në vazon e dytë, shqiptarët në të katërtën dhe mund të përplasen. A e shpreson Ragipi këtë? “Kam një ndjenjë të mirë që nuk do ndodhë kështu. Por nëse ndodh, do jem neutral”.

Dy vëllezërit janë përplasur në mars të vitit 2012 në Superligën zvicerane. Por në kombëtare nuk kanë luajtur kundër njëri-­tjetrit. Kur Zvicra u përball me Shqipërinë për Botërorin e vitit 2014, Graniti nuk ishte në ekip, Taulanti nuk ishte ftuar. Kjo do ndryshojë në verë, pasi vëllai i madh është shumë i rëndësishëm për mesfushën e shqiptarëve, sikundër Graniti është i paimagjinueshëm jashtë kombëtares zvicerane. /Përkthyer nga Blick/

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: