Si asnjëherë më parë, në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 ka ardhur rrëfimi një 74-vjeçareje nga qyteti i Fierit, të cilën jeta e ka shoqëruar vetëm me dhimbje dhe lot. Leonora Dimo rrëfen historinë tragjike të humbjes së tre fëmijëve dhe bashkëshortit të saj.

E vetme dhe pa asnjë pjesëtar të familjes, 74-vjeçarja mbërriti në studio për të apeluar ndihmë pasi sipas rrëfimit të saj, trupat e pajetë të tre fëmijëve i varrosi në Fier, aty ku ajo jetoi dhe krijoi jetën së bashku me bashkëshortin, e ndërsa trupin e të shoqit familjarët e tij e varrosën në Tiranë. Pas shumë kërkesash ndaj familjes së burrit 73-vjeçarja ka hasur në kundërshtimin e tyre për tërheqjen e eshtrave të bashkëshortit. Ajo tregon se eshtrat e të shoqit i kanë bashkuar me eshtrat e dikujt tjetër.

“Jam martuar në 1967 në shtator, në dhjetor bëra celebrimin. U martova në Pojan të Fierit. Një vit pas martesës erdhi në jetë fëmija jonë i parë, djali i madh. Erdhën në jetë tre fëmijë, dy çuna dhe një gocë. I pari lindi në 1968 dhe vdiq në 1971, mirëpo unë dhe bashkëshorti kishim një mikrob të dy gjë e cila na dëmtoi jetën e fëmijëve. Në 1972 lindi djali i dytë, në 1978 lindi goca. Kur lindi çuni i dytë, burri u sëmur nga veshkat, në 1979 ndërroi jetë, vajza ishte 9-muajshe, djali ishte 7 vjeç. Vajza lindi njëlloj si djali i parë dhe vdiq 9 muaj pas vdekjes së të atit, në moshën 2-vjeçare, kur unë isha vetëm 30 vjeçe.

Ne jetonim në Fier kur më vdiqën dy fëmijët. Por pas vdekjes së fëmijëve dhe burrit erdha në Tiranë tek njerëzit e burrit. Burri vdiq në spitalin ushtarak ndërkohë që jetonim në Pojan të Fierit. Mirëpo kunati vëllai i burrit mu lut që ta varrosnim në Tiranë sepse donte ta kishte afër për të shkuar te varri. E varrosëm në varrezat e Sharrës”, tregoi gruaja e moshuar.

Por hallet e fatkeqësitë e saj nuk morën fund me kaq. Pasi asaj i vdes dhe djali i vogël dhe mbetet e vetme. Dëshira e saj e vetme është të bashkojë eshtrat e njerëzve të dashur në një vend.

“Në vitin 1994 ika në Greqi me djalin, u sistemuam punonim të dy bashkë. Rreth vitit 2016 u sëmur çuni, ne kishim marr pasaportat greke dhe ikëm në Angli, sa vajtëm djali u sëmur dhe u vizitua doli me sëmundje të keqe. Ai ishte i martuar dhe vetëm 20 muaj qëndroi në martesë me të sepse nusja u sëmur me depresion dhe u largua vet edhe pse erdhi në jetë një mbesë, e cila ishte gati 1 vjeçe kur nusja u largua.
Mbesa është 18 vjeçe dhe jeton në Tiranë. Pasi u kurua dy vite në Angli djali, mjekët më thanë që nuk ka më jetë dhe u kthyem në Shqipëri që të vdiste te vendi vet. Mirëpo djali ndërroi jetë dhe unë e varrosa në Fier te dy fëmijët e parë. Tani dua të marr eshtrat e bashkëshortit t’i bashkoj afër me dy fëmijët, mirëpo kunati vdiq dhe nuk kam me kë ta gjej më muhabetin. Nipi i burrit ka marrë ka varrosur babain e tij dhe ka zhvarrosur dhe bashkëshortin dhe i vendosën afër njeri-tjetrit, por në atë kohë nipi kishte bashkuar eshtrat me eshtrat e të atit vjehrrit tim. Ata përgjigjen që po ishe e zonja merri dhe marrëdhënia ime është shumë keq me ta këto momente pas vdekjes se djalit”, rrëfeu 74-vjeçarja.

Ajo tregoi se i vetmi ngushëllim është mbesa, vajza e djalit të vogël që humbi jetën një vit më parë dhe sot është 18 vjeç. “Kjo mbesë mi zëvendëson të gjitha çfarë kam humbur”, tregoi Leonora.

Ndërkohë në emision erdhi edhe deklarata e kunatës së Leonorës, motrës së burrit e cila tha se nuk do e lejojnë të marrë eshtrat e të vëllait.
“Ajo nuk ka asnjë arsye për t’i marrë ato eshtra sepse ka 50 vite që e ka varrosur dhe ka ikur larg nga Shqipëria. Ajo ka varrosur tre fëmijë, edhe do të marri eshtrat e vëllait tim. Në asnjë mënyrë ajo nuk mund t’i marri kurrë eshtrat sa të jemi gjallë ne. Ajo është mashtruese dhe nuk ka ardhur t’i sjellë një qiri atij te varri. Nuk mund të marrë eshtrat pa lejen tonë. Nuk na ka pyetur për asgjë. Ajo nuk e ka respektuar vëllain tim, por vëllai im iku në lule të rinisë. Ajo duhet ti sjelli eshtrat e fëmijëve duhet t’i sjelli te varrezat ku janë varrosur të gjithë familjarët e tjerë. Vëllain tim po e çuam në Fier nuk ka kush t’i ndezë një qiri. Ne nuk jemi dakord dhe nuk japim asnjë firmë për zhvarrosjen”, deklaroi motra e të ndjerit në një lidhje telefonike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb