Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, u përplas me ish-kryeministrin Sali Berisha, në Kuvend, teksa në fokus ishte afera e inceneratorëve.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Spiropali theksoi se Berisha e nisi politikën si komunist duke luftuar imperializmin amerikan dhe po e mbyll si i korruptuar po kundër imperializmit amerikan. Nga ana e tij, Berisha tha se asgjë nuk e impresionon dhe nuk e ndalon në betejën e tij për dinjitetin njerëzor.

Spiropali: Nga Basha kalojmë te bota e përtejme, për Sali Berishën. E fillove politikën duke luftuar imperializmin amerikan, si komunist, dhe po e mbyll duke luftuar imperializmin amerikan, si i korruptuar. nëse herën e parë ja dole të ndërrosh qimen, herën e dytë nuk të la zakoni dhe u katandise aty ku je.

Berisha: Luftën time e fillova me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e vazhdova me lobim për projektin e shekullit për Evropën, gazsjellësin, i vetmi që sjell në Evropë gaz jo rus. Luftën time e vazhdoj me vendosmëri absolute për dinjitetin njerëzor, i cili peshon për mua, aq sa peshon dhe vetë liria. Asgjë, asnjë shpifje, asnjë pozicion, nuk mund të më intimidojë apo të më bëjë të tërhiqem nga beteja për dinjitet njerëzor. Ndaj dhe nuk impresionohem aspak nga ata të cilët dinjitetin e delegojnë, ata janë qenie që nuk meritojnë as respekt, as liri, as dinjitet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb