Dy drejtues të njohur në mediat shqiptare, janë larguar këto ditë nga puna. Bëhet fjalë për Armand Shkullakun nga TV ABC NEWS dhe Alfred Lela nga MAPO. Të dy gazetarët kanë sqaruar për Zërin e Amerikës arsyet e largimit.

“Opinioni publik e ka ndjekur me shqetësim largimin nga detyrat të dy gazetarëve të njohur, ndërsa ata vetë pohojnë se politikat editoriale të mediave të tyre po ndryshojnë. Në pamje të parë largimet nga puna të dy drejtuesve të mediave Armand Shkullaku dhe Alfred Lela janë përfundim apo ndërprerje të thjeshta kontratave të punës. Por ata pohojnë se prapa kësaj rutine qëndrojnë përpjekje të pronarëve të mediave për të ndryshuar politikat editoriale pro qeverisë dhe në dëm të parimeve gazetareske”, shkruan VOA.

“Gjurmët e kësaj lëvizje të çojnë te një ujk, i cili zakonisht është i madh, me pushtet dhe me para” – thotë ish-drejtuesi i botimeve MAPO, Alfred Lela.

Ai shtoi se brenda një jave në radhët e medias u shfaq në këto dy raste vetëm maja e ajsbergut e një morie problemesh të shtypit shqiptar dhe mekanizmave politike që e trysnojnë atë.

Lela tha për VOA se gjatë bisedës për një kontratë të re pune, pas skadimit të kontratës së fundit, ai vendosi të mos pranojë kërkesat për një politikë të re editoriale nga pronari, edhe pse ai kërkoi të vazhdohej me një profil sadopak opozitar.

Ndërsa drejtuesit të tv ABC NEWS, Armand Shkullaku, me një përvojë 25-vjeçare në shtypin shqiptar, u largua pas 4 vjetësh me një ndërprerje kontrate, pasi pronari i grupit mediatik kërkoi një politikë të re editoriale dhe menaxheriale.

“Bashkë me kolegët u përpoqa disa vjet që ta bënim TV ABC NEWS një ishull të lirisë, të profesionalizmit, për aq sa ia arritëm” – thotë zoti Shkullaku.

Ai vetë tha se nuk pati presione apo negociata, por thjesht iu komunikua se stacioni do të ndryshojë menaxhimin dhe qëndrimin editorial.

Zoti Shkullaku shtoi se klima ndaj mediave është e rëndë prej disa vitesh dhe gazetarët punojnë në kushte të vështira.

“Pa diskutim që ka një klimë kur i pari i vendit, pra kryeministri, i quan mediat “kazanë”, “baltë”, “moçal” etj., etj. Ka pra, si të thuash, një strategji për asgjësimin e çdo mendimi të lirë, çdo hapësire të pavarur” – tha zoti Shkullaku.

Dy gazetarët e njohur shprehën shqetësim rreth faktit që zërat kritikë po shmangen me një mënyrë a një tjetër, dhe mediat proqeverisë po krijojnë realitete virtuale, që po largohen çdo ditë e më tepër nga jeta e vërtetë e qytetarëve. /VOA/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb