Qemal Lame, kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë në dekadën e fundit të regjimit komunist, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka treguar mbi çështjen e arrestimit të shkrimtarit Ismail Kadare. Ai tregon se si dy herë është kontaktuar nga vetë Enver Hoxha, i cili i ka dhënë urdhër për arrestimin e shkrimtarit. Lame ka rrëfyer se sa e vështirë ka qenë për të kundërshtimi i një urdhri të tillë dhe ka treguar me detaje mënyrën se si vendosi ta kundërshtonte arrestimin e Kadaresë.

Qemal Lame: U kërkua arrestimi i Kadaresë.

Blendi Fevziu: Është kërkuar arrestimi i Kadaresë?

Qemal Lame: Po është kërkuar dy herë, unë e kam shkruar edhe në libër 25 shtator të vitit 1982 për herë të parë dhe për herë të dytë në 27 Shtator 1983 pas komplotit.

Blendi Fevziu: Me çfarë arsyeje u kërkua arrestimi i Ismailit?

Qemal Lame: Ai kërkoi me shumë arrogancë të arrestohej.

Qemal Lame tregon se si Enver Hoxha urdhrin për arrestimin e shkrimtarit e ka dhënë personalisht e jo me anë të Ministrit të Brendshëm, siç vepronte zakonisht. Ai e ka kërkuar arrestimin e shkrimtarit me anë të një telefonate ku i dha urdhër kryehetuesit të përgatiste dokumentet për arrestimin e Ismail Kadaresë.

Blendi Fevziu: E kërkoi Enver Hoxha vetë?

Qemal Lame: Po, Enver Hoxha. Ai më ka marrë në telefon, sepse të gjitha porositë vinin midis Ministrit të Brendshëm. Ai bëri përjashtim, më mori në telefon, këtë po e them pa rezervë.

Blendi Fevziu: Ju direkt Enver Hoxha në telefon?

Qemal Lame: Po në telefon sekret.

Blendi Fevziu: Ka qenë një telefon me dy shifra në mos gaboj. Ishte shumë i rezervuar, e kishin drejtuesit më të lartë.

Qemal Lame: Po drejtuesit më të lartë, ai kryeministri, Ministri i Punëve të Brendshme.

Qemal Lame: Foli me atë gjuhën e ashpër, shkurtimisht, bëni dokumentet të arrestohet ai, të iki. Dhe “natën e mirë” , tha.

Blendi Fevziu: Pra bëni dokumentet të arrestohet, se për çfarë duhet ta gjenit ju.

Qemal Lame: Dokumentet pastaj të nesërmen mi solli Hekurani. Në dokumente, ishin më shumë se 30 dokumente, më shumë se 30 procesverbale, por është një procesverbal konkret ku akuzohej Ismail Kadareja si bashkëpunëtor i Kadri Hazbiut. Është dokumenti më demaskues për atë veprimtari. Ky moment mua më erdhi shumë i papritur.

Blendi Fevziu: Nuk i thoshe dot jo Enver Hoxhës se nuk ekzistonte si mundësi.

Qemal Lame: Jo vetëm atë, por si ktheje dot as përgjigje. Ai jepte urdhrin. Duhet të ishe shumë mirënjohës kur të merrte në telefon ai.

Më tej kryehetuesi i komunizmit tregon vështirësinë që ai pati për të kundërshtuar urdhrin e dhënë në formë të prerë nga Enver Hoxha për arrestimin e shkrimtarit. Ai rrëfen se mori parasysh rrezikun të quhej edhe bashkëpunëtor, por vendosi të japë gjithsesi mendimin e tij. Qemal Lame, në të dyja rastet ku ishte kërkuar arrestimi i shkrimtarit, i doli në mbrojtje, duke i rikujtuar Hoxhës veprën e Ismail Kadaresë “Dimri i madh” e duke i thënë se nëse goditet ajo vepër, do të goditej drejtpërdrejtë figura e tij.

Qemal Lame: Unë atë natë nuk kam fjetur fare, tre ditë nuk mund të flija se isha në gjendje shumë të tensionuar. Nuk gjeja qetësi. Vendosa të them të vërtetën, mendimin tim. Mora parasysh çdo pasojë.

Blendi Fevziu: Çfarë i shkruat?

Qemal Lame: E para jepja mendimin që krimet kundër shtetit janë rritur. E dyta pas arrestimit të grupit armiqësor të Mehmet Shehut është krijuar një gjendje tensioni në popull që zgjerimi i mëtejshëm i komplotit tregon shqetësime të mëdha që nuk mund të kontrollohen. E treta, për materialet e paraqitura për Ismail Kadarenë duhen dokumentet origjinale që tregojnë veprimtarinë e tij konkrete. Këto mendime ia dërgova në mënyrë shumë të rezervuar, nëpërmjet shoqëruesit të tij. Më mori në telefon më tha do takohemi të nesërmen në darkë, kur ai bënte bisedat konkrete me Hekuranin dhe me Ramizin. Në takim na pyeti çfarë mendimi keni për Ismailin, të dy ata kishin mendimin të arrestohej. Unë i rekomandova, i thash të më falni zoti Enver po kam mendimin se zgjerimi i komplotit do të krijojë më shumë probleme për partinë, në mënyrë të veçantë Ismaili që është me popullaritet të madh edhe në vendin tonë edhe në botën e jashtme. Ia thash se ishte momenti o do ndaheshe nga krimi o do bëheshe bashkëpunëtor i krimit. Problemi kryesor, i thashë, është libri “Dimri i madh” nëse goditet ai libër goditet figura juaj. Mirë tha, lëreni e shikojmë herë tjetër.

Blendi Fevziu: Po herën e dytë me ç’arsye?

Qemal Lame: Edhe herën e dytë me të njëjtën arsye./tvklan.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb