Emisioni “Fol me psikologen” i “Gazeta Shqiptare” është ndalur tek 2 rastet e rënda të ndodhura gjatë ditëve të fundit. Ngjarja e parë e trajtuar është abuzimi i 13-vjeçares nga Kavaja nga 8 djem të ndryshëm. Pas filmimit të aktit të parë seksual të kryer mes saj dhe të dashurit ka filluar abuzimi i vazhdueshëm pasi të miturit i  bënin asaj shantazh përmes videos. Psikologia dhe pedagogia Arjana Muçaj thotë se ky rast tregoi jo vetëm komunikimin e dobët prind-fëmijë, por mbi të gjitha rolin inekzistent të shkollës e cila sipas saj duhet të luajë rolin e një familjeje të dytë.

Injorimi i reagimeve sjellore të kësaj vajze, të cilat padiskutim që kanë ekzistuar gjatë kohës që ajo abuzohej, ndikimi i fuqishëm i grupit shoqëror në këtë fazë të zhvillimit dhe fokusi i prindërve tek plotësimi i nevojave materiale të fëmijëve, kanë qënë disa nga pikat kryesore ku janë ndalur në bisedë psikologet Ervisa Lula dhe Arjana Muçaj.  Ekspertet kanë trajtuar edhe problematika të tjera si roli i munguar i psikologut të shkollës, modelet e dhunës që serviren ngado dhe tek mjetet e teknologjisë tek të cilat prindërit kanë pak ose aspak kontroll.

Në pjesën e dytë të emisionit është diskutuar krimi në familje i ndodhur në periferi të kryeqytetit, ku gardisti 44 vjeçar i mori jetën së shoqes me armën e shërbimit.  E ftuara e dytë ka qënë sociologia Entela Binjaku e cila shprehet se dhuna si anë e errët e familjes shqiptare mbahet brenda mureve të shtëpisë derisa i merr jetën gruas. Ajo ka theksuar fort faktin se për të dhënë  një zgjidhje efektive për këto raste duhet të ngrihen qendra të cilat të mund të ofrojnë ndihmë konkrete për gratë e dhunuara. Modelet e pafundme të dhunës që jepen në shoqëri dhe mosndëshkimi i dhunuesve janë problemi më i madh që duhet zgjidhur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb