Kur duhen edhe 2 javë nga dita e votimit për zgjedhjet parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëron një kolaps të mundshëm në procesin zgjedhor. Kjo ka të bëjë me ndalimin e komisionerëve zgjedhorë, punonjës të administratë nga drejtuesit për të bërë punën e tyre.

“Pranë KQZ-së kanë ardhur shqetësime lidhur me vonesat në dhënien e lejeve për nëpunësit e emëruar si komisionerë zgjedhorë, me vendim të KQZ-së, të cilët kanë depozituar kërkesa pranë burimeve njerëzore të institucioneve ku ata punojnë dhe nuk po marrin përgjigje”, deklaron KQZ, duke iu referuar urdhrit të Task-Forcës të drejtuar nga zv.kryeministrja Ledina Mandija.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngre shqetësimin për pengesat që i po i shkaktohen komisionerëve zgjedhorë, të cilët janë në marrëdhënie pune.

“Ashtu si në Kodin Zgjedhor edhe në VKM nr. 473 të datës 1.06.2017, angazhimin si komisionerë të KZAZ-ve, KQV-ve apo GNV-ve, nuk e konsideron angazhim për qëllime politike apo elektorale, por e konsideron vetëm si një  angazhim administrativ.
Pranë KQZ-së kanë ardhur shqetësime lidhur me vonesat në dhënien e lejeve për nëpunësit e emëruar si komisionerë zgjedhorë, me vendim të KQZ-së, të cilët kanë depozituar kërkesa pranë burimeve njerëzore të institucioneve ku ata punojnë dhe nuk po marrin përgjigje.
Vonesa e këtyre përgjigjeve, mos dhënia e lejeve për të ushtruar funksionin e komisionerit zgjedhor po pengon administrimin e procesit zgjedhor, pasi komisionerët nuk mund të kryejnë detyrat e tyre të ngarkuara nga Kodi Zgjedhor”, deklaron KQZ.

Sipas këtij institucioni, mos respektimi i qoftë dhe një afati ligjor, ndikon negativisht në të gjithë veprimtarinë e administratës zgjedhore në funksion të organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve.

“Pa komisionerë nuk mund të ketë zgjedhje, ndaj drejtuesit e administratës shtetërorë duhet të jenë përgjegjshëm dhe të mos bëhen pengesë. Nëse kjo situatë problematike e krijuar vetëm për 720 komisionerët e KZAZ-ve, vijon edhe për rreth 37 mijë komisionerët e KQV-ve dhe  GNV-ve, procesi zgjedhor rrezikon të futet në kolaps.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju bën thirrje të gjithë drejtuesve të administratës publike, që të reagojnë menjëherë pas këtij apeli të KQZ-së, dhe të mos krijojnë pengesa artificiale të cilat cenojnë procesin zgjedhor”, thekson KQZ.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb