NGA KLODIANA LALA

TIRANE
– Si asnjëherë më parë, një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë do të ndërpresë pushimet vjetore dhe do të rikthehet në detyrë, për të shqyrtuar kërkesën e deputetit kristiandemokrat Mark Frroku, i cili ndodhet prapa hekurave, si i dyshuar për vrasjen me paramendim, kryer në Belgjikë në dëm të Aleksandër Kurtit. Kolegji Penal me kryesues Artan Brocin dhe anëtarë Ardian Nunin, Guxim Zenelajn, Edmond Islamajn dhe Tom Ndrecën, ka vendosur dhe njoftuar palët që seanca për shqyrtimin e kërkesës së deputetit do të zhvillohet më datë 21 gusht, ora 10:00.

Kristiandemokrati kërkon që të lihet i lirë kundrejt një garancie pasurore prej dhjetë mijë eurosh dhe njëherazi të lejohet për të udhëtuar jashtë vendit, me qëllim që të marrë pjesë në seancën gjyqësore të datës 19 tetor 2015 në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel, ku po gjykohet për të njëjtën vepër penale për të cilën po hetohet në Shqipëri, atë të vrasjes së shqiptarit Kurti në vitin 1999 në një stacion treni në Bruksel.

“Më datë 5 gusht 2015 i jemi drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë për të mbrojturin prej meje, Mark Frroku. Së pari kërkojmë lënien e një garancie pasurore prej dhjetë mijë eurosh, dhe së dyti dhënien e pëlqimit që Frroku të lejohet për t’u paraqitur përpara një gjykate belge. Seanca për shqyrtimin e kësaj kërkese është caktuar për t’u zhvilluar më datë 21 gusht, ora 10:00”, – tha avokati Saimir Vishaj për “GSH”. Mandej, mbrojtësi ligjor theksoi se procesi ndaj Frrokut në Gjykatën e Lartë do të monitorohet nga përfaqësues të ambasadës amerikane.

Burgosja e deputetit
Pak ditë pasi Gjykatë e Lartë caktoi ndaj Mark Frrokut masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pas dyshimeve se sajoi një komplot për vrasje deputetësh, orëve të lirisë së kristiandemokratit po u vinte fundi. Prokuroria e Përgjithshme, mbi bazën e një kërkese të ardhur nga autoritetet belge, kërkoi në Kuvend autorizimin për arrestim për Frrokun, pas dyshimeve për akuzën e “vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim”. Me vendimin nr.17, datë 3 prill 2015, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për deputetin Frroku, i cili ende vijon të ndodhet prapa hekurave. Në pesë muajt e qëndrimit në qeli, i dyshuari ka bërë një sërë kërkesash për ndryshimin e masës së sigurisë. Madje në korrik ai kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme të lejohet për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në Belgjikë, që pritet të rinisë në tetor.

Prokuroria e refuzoi kërkesën e deputetit Frroku, dhe ai tashmë kërkon nga Gjykata e Lartë ta shfuqizojë këtë vendim të organit të akuzës dhe ta lejojë të përballet me drejtësinë belge. Nëse do të udhëtojë drejt Belgjikës apo do të vijojë të qëndrojë në qelitë e paraburgimit, Mark Frroku do ta mësojë në seancën e 21 gushtit; natyrisht, nëse kjo seancë nuk do të dështojë për ndonjë arsye.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: