Ndërsa ditët e pritjes zgjaten gjendja shëndetësore e 14-vjeçarit Renis Muça vetëm rëndohet. Çdo ditë të javës familjarët i gjen tek dera e Ministrisë së Shëndetësisë me shpresën e një lajmi pozitiv për ta nxjerrë djalin jashtë vendit për kurim, ndërsa vetë ministria justifikohet me faktin se çështja varet nga pala turke që nuk ka sjellë ende përgjigje.

E ndërsa pret me të ëmën në hyrje të institucionit më të lartë të shëndetit lotët që rrjedhin ne fytyrën e vogël të Belisës flasin më shumë se 1 mijë fjalë.

Ajo është vetëm 7 vjeç por hallet e mëdha që i kanë rënë familjes e kanë rritur para kohe motrën e vogël të Renisit e cila i ka harruar lojërat fëmijërore për t’i qëndruar tek koka e vëllait, e ku gjithë kohës lutet që të jetojë.

Ndryshe nga qeveria qe fshihet pas protokolleve dhe burokracive shkresore shqiptarët e thjeshtë kanë reaguar menjëherë në ndihmë të Renisit duke kontribuar financiarisht për dërgimin e djalit jashtë vendit për ti paraprirë rastit më të keq nëse dështon ministria.

Shkolla Jeronin Derada ku studion Renisi ka nisur me kohë një fushatë sensibilizuese për mbledhje fondesh e po kështu edhe ekipi i futbollit Partizani që fitoret e fundit ia ka dedikuar tifozit më të vogël.

14-vjeçari Renis Muça ndodhet në gjendje kome që prej datës 17 korrik 2019. Djali u përplas teksa lëvizte me biçikletë në rrugën pas muzeut kombëtar. Mjeti që e fluturoi në ajër duke hedhur mbi 15 metra larg tip ‘Audi’ drejtohej nga një 18- vjeçar që u ndalua menjëherë pas ngjarjes së rëndë nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit.

Që prej momentit të aksidentit djali i vogël i familjes Muça qëndron i shtruar në spitalin Universitar të Traumës. Për dy javë mjekët e nxorën në pavionin e katit të tretë me argumentin se i ndihmonte procesit të zgjimit nga koma. Por kushtet aspak të përshtatshme për gjendjen e të sëmurit bënë që ai të përkeqësohej.

Pas denoncimit që bënë familjarët në News 24 reagoi spitali që e riktheu djalin në shërbimin e reanimacionit dhe nën një kujdes të shtuar mjekësor. Prej dy javësh dokumentet e Renisit ndodhen në ministrinë e shëndetësisë e cila ia ka referuar spitaleve turke për një trajtim më të specializuar por zyrtarisht ministria mohon të ketë marrë përgjigje.

Whatsapp Image 2019 09 05 At 17.13.55
Whatsapp Image 2019 09 05 At 17.13.55

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb