FIER – Rreth 400 punonjës të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, mëngjesin e djeshëm u hodhën në protestë, pasi kanë dy muaj që nuk kanë marrë rrogat. Në orën 07:30 ata u mblodhën në ambientet e brendshme të uzinës, ndërsa deklaruan se nuk do t’i ndalin protestat deri në marrjen e pagave të muajit qershor dhe korrik.

Përveç rrogave, punonjësit e KPTHN në Ballsh ankohen dhe për kontratat selektive nga drejtuesit e kompanisë.

Ndërkohë, kryesindikalisti Kamber Iljazi deklaroi se situata ka agravuar jashtë mase dhe se do të vijojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të punonjësve.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar ditën e sotme Inspektoriat i Punës. Pas protestës së punonjësve, drejtori i këtij institucioni ka urdhëruar kontroll për kushtet e punës.

Sipas urdhrit, grupi i punës do inspektojë nëse janë marrë masat për sigurinë dhe do të verifikojë nëse janë bërë analizat e gjakut.

Këto të fundit janë të detyrueshme për t’u bërë të paktën një herë në vit. Ndërkaq, gjatë kontrolleve, grupi i punës do të verifikojë marrëveshjet punëdhënës-punëmarrës, si dhe të verifikohet nëse është dhënë paga në kohë.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb