Hetimet për një çështje droge, nxorën në dritë një rast korrupsioni në radhët e policisë së Elbasanit.

Një oficer u vendos në arrest shtëpie, ndërsa një tjetër po hetohet nën masën e detyrimit për paraqitje, pasi dyshohen se morën ryshfet për lirimin e një kamioni me dru që ishte bllokuar në Gramsh.

SPAK njoftoi se Çelnik Toska dhe Sefer Shuka, dyshohen se kanë shfrytëzuar postin duke përfituar para dhe të mira të tjera materiale.

Për Toskën është caktuar masa e arrestit në shtëpi, ndërsa ndaj Shukës masa e detyrimit për paraqitje. Nga hetimet ka rezultuar se Zenel dhe Lirian Taragjinin iu është sekuestruar një kamion me lëndë drusore në Gramsh.


Përmes të njohurit të tyre, Lulzim Hasa, i cili është vënë në pranga, ata kanë tentuar të ndikojnë në institucionin e prokurorisë që të lirohej ngarkesa më lëndë drusore.

Hasa sipas hetimeve ka kontaktuar oficerët e policisë gjyqësore, të cilët dyshohen të kenë marrë përsipër të lironin ngarkesën. Një moment, njëri prej tyre, ka hyrë në ambientet e prokurorisë për të takuar përfaqësuesin e akuzës, që kishte në duar rastin, ku ka qëndruar 4 minuta, por prokurori i çështjes gjatë pyetjes në SPAK ka mohuar që oficerët ti kenë ushtruar ndikim apo ofruar para.

Pavarësisht se kamioni nuk është liruar, i dyshuari si sekser Lulzim Hasa, ka marrë si ryshfet një qingj, e për këtë është vënë në pranga “Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal nga BKH, janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se dy oficerët e policisë Gjyqësore si dhe shtetasi Lulzim Hasa, kanë marrë në disa raste nga Zenel dhe Lirian Taragjinin, përfitime monetare të parregullta, në shuma monetare si dhe përfitime të tjera materiale, për të kryer veprime të lidhura me detyrën dhe funksionin e tyre”, njoftoi prokuroria e posaçme.

Ky rast ishte referuar në SPAK nga Prokuroria e Përgjithshme, që në vitin 2022.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb