TIRANË

Si pasojë e masave ajrore të nxehta dhe të thata që vijnë nga Afrika prej ditësh vendi ynë është përfshirë nga i nxehti që arriti kulmin të dielën dhe të hënën e kësaj jave. Vendi ynë sot do të përjetojë temperatura të larta në të gjithë territorin. Sinoptikania Adiola Bani thotë se deri ditën e martë temperaturat do të jenë të larta duke arritur deri në 41.6 gradë Celsius.

“Dita e djeshme ka qenë shumë e nxehtë, duke bërë që termometri të ngjitet në 41.6 në qytetin e Kuçovës dhe të Gjirokastrës dhe parashikohet që edhe dita e sotme por edhe dita e martë të mbeten në të njëjtat vlera duke bërë që këto të jenë ditët më të nxehta edhe të kësaj vere sepse janë afërsisht në vlerën 41.6 gradë celsius edhe dita e sotme”, tha sinoptikania Adiola Bani.

Temperaturat do të fillojnë të ulen nga e mërkura 14 gusht kur raportohet se do të ketë edhe reshje shiu.

“Parashikohet që këto valë të të nxehtit të mbeten prezentë edhe ditën e martë, ndërsa dita e mërkurë, duke filluar nga mesdita do të sjellë vranësira dhe shira në pjesën më të madhe të territorit duke sjellë edhe rënie të temperaturave të paktën 4 gradë celsius, duke bërë që ditët e mbetura të muajit gusht të mbyllen rreth vlerës 33 gradë celsius në përgjithësi, 15 ditët e fundit të muajit gusht, pra në vlera normale klimatike”, tha Bani.

15 ditëshi i parë i muajit gusht cilësohet më i nxehtë krahasuar me verën e vitit të kaluar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb