Njëri është i mirë dhe ka të bëjë me numrin e vogël të njerëzve që kanë ndërruar jetë nga coronavirusi: 31 nga 872 të prekur.

Tjetri është i keq dhe lidhet me mbështetjen financiare të punonjësve dhe sipërmarrjes ku Shqipëria sipas FMN-së renditet e fundit në rajon me një shumë pagesash e financimesh që është vetëm 0.86 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto ( PPB). Ndërkohë që Kosova, shtet i ri me një qeveri në krizë, ka dhënë shumë më tepër. Serbia dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu. Nuk po flasim për vendet e BE-se, për SHBA dhe Anglinë ku paketat financiare për personat dhe sipërmarrjen llogariten në miliarda euro dhe triliarda dollarë që shkojnë nga shtatë deri në trembëdhjetë përqind të PPB-së, madje edhe më shumë.

Përpos shenjave të kundërta, njeri pozitiv, tjetri negative, dy rekordet tona kanë edhe një dallim tjetër që meriton të vihet në dukje: autorësinë e pozitivit qeveria e ndan me disa faktorë të tjerë, siç janë devocioni dhe përgatitja profesionale e mjekëve, pozicioni gjeografik, jetëgjatësisë mesatare, vaksinimi i mëparshëm i popullsisë, instinkti shekullor i vetëmbrojtjes i shprehur edhe si përkujdesje prekëse e të rriturve për të moshuarit , e tjerë.

Autorësinë e negativit qeveria s’ka më kë ta ndajë. E ka të vetin. Taksa ka vënë boll, më shumë se vendet e tjera të rajonit. Por para të mjaftueshme në ditën e keqe, që është dita e qeverisë në çdo vend të botës, së paku sa Kosova dhe Maqedonia e Veriut, nuk u gjenden në arkën e shtetit tonë. Ose nuk janë dhënë.

Kthehemi te rekordi i parë. Nuk është botëror, sigurisht- vendet e Afrikës , shumë vende të Amerikës Latine, disa vende të Azisë apo Zelanda e Re kanë shifra më të vogla, shumë më të ulta në raport me numrin e popullsisë. Por duhet mbajtur parasysh se virusi atje nuk ka të krahasuar me virulencën që ka goditur Evropën, SHBA, Kinën, Iranin, Turqinë e ndonjë vend tjetër të Azisë.

Nuk është as europian e rajonal si rekord. Do të thotë se nuk është realisht rekord. Por është një histori suksesi. Nuk jemi mësuar të jemi të parët për lajme të mira. Ndaj na lejohet të vetëquhemi rekordmenë edhe duke qenë diku mes grupit të kreut. Pra , rekordmenë në raport me pozicionin që kemi rëndom në renditjet e tjera.

Nuk është pak. Mjekësia dhe mjeket tanë të angazhuar në vijën e parë kundër pandemisë meritojnë dhe kanë fituar tashmë nderimin me të lartë. Qeveria, kryeministri Rama, Ministria e Shëndetësisë, Ministrja , zonja Manastirliu, kanë meritat e tyre.

Ndërkaq, nuk është as shumë për tu fryrë borive të propagandës . Nuk u duhet fryrë asnjëherë në fakt kur flitet për të vdekur. Aq më pak në këtë rast kur do të kishim të bënim me një propagandë të shëmtuar me qarin nga një pikëpamje. SHBA, Spanja, Italia, Anglia ku kanë vdekur shumë njerëz, nuk kanë sisteme shëndetësore, teknologji dhe personel me të prapambetur se ne. Është komike ta mendosh. Përkundrazi: janë me dekada para nesh. Do të thotë se çështja e numrave të pandemisë lidhet me faktorë kompleksë, që nuk kanë të bëjnë vetëm me masat mbrojtëse apo me kujdesin shëndetësor. Faktori numër një pa dyshim është të qenët në zemër të vatrës. Ne dhe vendet fqinjë të Ballkanit Perëndimor nuk jemi në zonën e vatrave të nxehta.

Shkojmë te rekordi i dytë, te negativi. Problemi i ditës në Europë, tani që secili vend ka përcaktuar nxitësit ekonomikë në mbështetje të biznesit dhe shumën që po jep e do të vijojë të japë për individët dhe ekonominë, është shpejtësia e dhënies së parave, gjetja e rrugëve dhe thjeshtimin i procedurave që paratë të mbërrijnë në një kohë rekord te punëtori që nuk po punon apo ka humbur vendin e punës për shkak të pandemisë, te sipërmarrja që ka nevojë për një dorë e fortë për tu rinisur. Dje, duke lexuar artikuj dhe debate në disa media europiane për këtë problem, më pushtoi ndjesia e vjetër me të cilën jemi rritur si brez: ndjesia e të qenit planet tjetër, tokë pa kontinent.

Këtu problemi i shpejtësisë ( ngadalësisë, domethënë) ekziston për ata që nuk marrin në kohë “ pagën e luftës”. Por nuk ekziston për sipërmarrjen. Sepse nuk ka para për t’i dhënë sipërmarrjes. Garancia sovrane e qeverisë për shumën 100 milion euro ka rezultuar në termat e saj e paleverdishme dhe madje e rrezikshme , ndaj nuk ka ende aplikime. Zero mbështetje financiare për turizmin, zëri mbështetje financiare për bujqësinë dhe industrinë agro-ushqimore, gjë që projektin një situatë akoma më të vështirë për fermerët dhe prodhuesit shqiptarë pas pak javësh e muajsh kur do të përballen me konkurrencën e fermerëve të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe vendeve të tjera, që janë mbështetur me fonde te konsiderueshme nga qeveritë e tyre gjatë kësaj periudhe. Këtu, qeveria jonë ua ka lënë sipërmarrësve dhe fermerëve ta zgjidhin vetë. Të thyejnë kokën, domethënë.

Ky duket se është tani plani i qeverisë “Rama”: t’ia hedhë me pagën e luftës për dy – tre muaj. Nëqoftese e eksperimenti shqiptar për t’ia hedhur pandemisë me një shumë të përafërt apo edhe më të vogël se kostoja e Unazës së re te Astiri, atëherë gjithë qeverive të perëndimit u duhet varur në qafë “bidoni i budallaj’t”, ndërsa Tirana do t’i japë botës nobelistin e parë nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Por nuk ka asnjë premisë që krerët e qeverive të Evropës dhe ekonomistët që i këshillojnë të jenë budallenj. Historia është e thjeshtë. Në ditët e ballafaqimit të madh, Shqipëria doli zbuluar si vendi me ekonominë më të dobët në gjithë kontinentin. Më saktë menaxhimi i financave dhe ekonomisë tregoi gjithë të vërtetën e mbuluar përgjatë kohës me mjegullën e propagandës. Tani e kanë marrë fjalën faktet. Faktet lakuriqe në raport me faktet lakuriqe të vendeve fqinje e me gjerë. Ka vetëm një shpëtim: qeveria të rialokojë për sipërmarrjen , për bujqësinë dhe turizmin me përparësi, fonde e planifikuara para pandemisë për koncesione e tenderë që presin. Nëse ka mundësi, forcë dhe liri ta bërë këtë. Për të dribluar dështimin , qeveria mund të mbyllë dy sytë dhe tu drejtohet me talentin e pashterueshëm të zotit Rama formave të vjetra të propagandës, duke shkuar me mendimin se në Shqipëri janë ende të shumtë njerëzit që në inercinë e kohës së diktaturës besojnë më shumë atë që u thuhet se atë që shohin e prekin. Por kjo “ zgjidhje ” vështirë se shkrep më. Për arsyen e thjeshtë: jemi vend i hapur, gjithkush mund ti bëjë llogaritë pa qenë nevojë të shkojë larg : duke u krahasuar me fqinjët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb