Lulzim Basha ka shfrytëzuar këtë fundjavë për të folur krizën e thellë që ka kapluar turizmin shqiptar si pasojë e situatës së pandemisë. Duke botuar foto të brigjeve të boshatisura të këtij sektori që përbën mbi 20% të ekonomisë së vendit, kreu demokrat nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka vijuar me platformën që ka zgjedhur prej disa javësh, atë të politikanit që theksin po e vendos tek ekonomia.

Një ditë më parë, Lapsi.al botoi një analizë (poshte) ku shpjegohej kjo strategji e re e Bashës, të cilën sipas të gjitha gjasave ia kanë servirur spin doctors-at e tij izraelitë. Sipas saj nuk ka armë më të fortë për të mposhtur Edi Ramën, sesa të këmbëngulësh në këtë pikë. Në një kohë kur shefi i rilindjes po rreket ti gënjejë shqipëtarët me lugën e zbrazët të projekteve 3D, kupola demokrate gjykojn se është tejet efikase, ta përqendrosh vëmendjen tek shtresat më të varfra, që kanë mbetur në rrugë pas tërmetit të 26 nëntorit, tek ata që kanë humbur punën prej muajsh dhe nuk janë ndihmuar veçse me 40 mijë lekshin e pagës së luftës, tek mungesa e paketës së tretë të ndihmës, e cila u premtua dhe me të cilën u mashtrua, tek fakti që mbetëm vendi i fundit në rajon për ndihmën direkte, që i kemi atyre që u goditën nga pandemia.

Pra nëse ka një pikë ku Edi Ramës i shkrihet i gjithë kallaji i propagandës dhe ku i shumëzohen me zero loghoretë e stërgjatura në TV, ajo është ekonomia.

Më sa duket, pikërisht për këtë, këshilltarët e huaj, që ka marrë për fushatën e ardhshme, i kanë këshilluar liderit demokrat të merret më shumë me krizën e turizmit, sesa me listat e hapura; me bizneset që po falimentojnë, para prishjes së koalicioneve; me realizimin e mangët të paketave të ndihmës, para hedhjes në erë të marëveshjes së 5 qershorit.

Pra, duket se basti që ka vënë Lulëzim Basha është tu flasë njerëzve më pak për tema abstrakte si rrezikimi i demokracisë dhe ti drejtohet portofolit të tyre. Ai po kërkon që të mos këmbëngulë tek zhbërja e lirive, por tek tretja e buxhetit. Ai po tenton mos i thërrasë ndërgjegjjes, por interesit.

Natyrisht askush nuk mund ta mohojë se në kushte normale kjo do të qe një lëvizje elektorale e përkryer. Një mase që ka si preokupim fundin e muajit e ke më të vështirë ti flasësh për sindromat e fund rregjimit.

Por fatkeqësisht Shqipëria nuk është në situatë normale dhe rruga që ka zgjedhur Basha ka dy rrisqe të mëdha.

Së pari, zgjedhjet që po trokasin nuk do jenë aq të çilrëta, sa ai që vë në dukje rrënimin e kundërshtarit të arrijë ta mposhtë atë edhe me votë. Ato po ravijëzohen si një amalgamë influencash, banditësh, parash, trafiqesh, që në fund përfundojnë me deformim të rezultatit.

Një regjim si ky tetëvjeçar i rilindjes, e ka më të lehtë ti grabisë, sesa ti fitojë ato realisht. Prandaj, në kushte të tilla, opozita nuk e ka luksin ta kalojë në plan të dytë të prioriteteve të saj temën e deformimeve demokratike, sepse nëse vota masakrohet sërish, ashtu si në 1996, ashtu si në 2001, ashtu si në 2017, kundërshtarëve të Ramës nuk mund ti vijë më në ndihmë ekonomia, por mbeshtetja tek parimet e shtetit ligjor.

Basti që ka vënë Basha ka edhe një risk të dytë. Nëse ndodh “mrekullia” dhe Edi Rama nuk arrin të vjedhë aq sa ka planifikuar, pra nëse me gjithë skuadrat e tij të krimit ai nuk e pengon dot rotacionin, strategjia e fitimit të pushtetit duke shfrytezuar krizën ekonomike do të rezultojë afatshkurtër.

Sepse ushtrimi i qeverisjes nga rilindja ne na tregoi se situata ku gjendemi sot është para sëgjithash një krizë autoritarizmi, një krizë e kapitalizmit pa norma, një krizë e “konkurencës” pa garë dhe e vendimmarrjes pesonale. Sot shumë shqiptarë nuk gjendet në buzë të humnerës se qeveria nuk ia doli të zbatonte një projekt të caktuar, ata po lëngojnë sepse u zhbë çdo rregull loje, që të fitonte një pakicë.

Në këtë kuptim, strategjia e fundit e zgjedhur nga Basha për ti mbivendosur deformimet ekonomike mbi ato demokratike, nuk e armtatois me antikorpe pushtetin e nesërm, për të mos u prekur nga i njëjti virus si rilindja. Sa do efikase të duket që tu flasësh njerëzve për xhepin dhe kuletën e tyre, ajo nuk është veçse një iluzion. Kjo rrugë ndoshta mund të prodhojë rotacionin, por kursesi ndryshimin, i cili nuk vjen me pak lëmoshë më shumë, por me ndryshimin e rregullave për të gjithë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb