Një 27-vjeçar shqiptar është dënuar me 4 vite burg nga Gjykata e Lartë në Porstmuth të Britanisë së Madhe, pasi ka trafikuar një numër të madh emigrantësh, bashkëkombës dhe të huaj në drejtim të ishullit.

Floreand Lika, nga Temple Street, Portsmouth, ka ndihmuar në kontrabandimin e emigrantëve të paligjshëm duke luajtur rolin e përgjegjësit në grupin ku bënin pjesë edhe shqiptarë të tjerë, të cilët udhëzonin bashkëkombësit e tyre që të hipnin në gomone në Francë.

Gjatë dy udhëtimeve, Lika ishte në kontakt telefonik me një nga tre burrat e dënuar në fillim të këtij viti për kontrabandë njerëzish në vend.

Një anije që udhëtonte nga Cherbourg mbërriti në East Cowes Marina më 19 Mars 2020. Në anije ndodheshin 12 persona që dyshohet se ishin emigrantë që hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Midis 26 dhe 27 qershorit 2020, një tjetër varkë e vogël u kap pas një operacioni të përbashkët me njësinë rajonale të krimit të organizuar në juglindje (SEROCU), Agjencinë Kombëtare të Krimit dhe autoritetet franceze. Gjashtë shqiptarë ishin në bord.

Lika u deklarua fajtor për komplot për të bërë një veprim për të lehtësuar kryerjen e një shkeljeje të ligjit të imigracionit në Mbretërinë e Bashkuar nga një person jo i BE-së, në kundërshtim me Aktin e Emigracionit.

Ai pranoi këtë akuzë në një seancë më 15 qershor, pasi u arrestua një ditë më parë nga oficerët e SEROCU. Tre burra të tjerë nga Isle of Wight që punuan me Likën, respektivisht Stephen Redhead, Christopher Barber dhe Jean Pierre Labelle u dënuan për rolet e tyre në operacionin e kontrabandës së emigrantëve gjatë muajit mars.

Inspektori Clair Trueman, nga SEROCU, tha: “Njerëzit që bëjnë kalime të rrezikshme për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, luajnë një rrezik me jetën e tyre dhe ata që lehtësojnë këtë vepër duhet të sillen me të drejtë përpara një gjykate. Hetimi ynë zbuloi përfshirjen e Likës në atë që ishte krim i organizuar ndërkombëtar në një shkallë të gjerë, kështu që ne vazhduam përpjekjet tona për ta gjurmuar atë, duke punuar ngushtë në partneritet me partnerë të tjerë të zbatimit të ligjit. Provat me të cilat përballej Lika ishin aq të forta sa ai u deklarua fajtor, duke pranuar rolin e tij në këtë rrjet të kontrabandës së njerëzve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb