TIRANE – Prokuroria e Tiranës fillon hetimet për disa raste të ndalimit dhe mbajtjes në polici në mënyrë të paligjshme të disa qytetarëve nga kryeqyteti.

Gazeta “Panorama” shkruan sot se një hetim është hapur pas padisë së bërë nga dy të rinj banues në Kombinat, në lidhje me shoqërimin e tyre në polici dhe mbajtjen në kushte të paligjshme në Komisariatin Nr.6. Ngjarja mësohet se ka ndodhur muajin e fundit, ndërsa dy personat kanë denoncuar në Prokurori faktin se janë mbajtur në një kontenjer në oborrin e komisariatit të policisë.

“Na shoqëruan për verifikim kur po qëndronim pranë banesës. Shoqërimi u bë nga disa policë, që thanë se po kryenin kontrolle në zonë. Kur shkuam në komisariat, na mbajtën disa minuta jashtë dhe më pas na izoluan në njërin nga dy kontenjerët që ndodheshin në oborr”, -kanë pohuar dy personat nga Kombinati.

Ata kanë bërë kallëzim në Prokurori duke akuzuar efektivat e Komisariatit Nr.6 për veprime arbitrare dhe shpërdorim detyre. Prokuroria konfirmoi se ka nisur hetimet për këtë rast, ndërsa shtoi se pas mbajtjes për disa orë në polici, dy autorët e denoncimit janë lënë të lirë nga strukturat e rendit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: