TIRANE- Gazeta ‘Panorama’ shkruan sot se, dy vëllezërit e kapur dje, të cilët akuzohen për vrasjen e trefishtë në Thumanë pak ditë më parë, Daniel Kora dhe Besnik Kora, u kanë thënë hetuesve të çështjes se ata kanë qenë të dehur në momentin kur ndodhi ngjarja.

Në këtë mënyrë, dy vëllezërit pranojnë autorësinë e krimit që tronditi vendin, duke theksuar se ishin nën efektin e alkoolit.

Me ndihmën e tyre, policia ka gjetur edhe dy armët me të cilat u krye masakra që u mori jetën tre
personave.

Bëhet fjalë për dy armë automatike, të tipit Kallashnikov. Njëra armë u gjet në periferi të Laçit, e hedhur në një kanal me ujë, ndërsa tjetra u gjet në rrugën hyrëse të qytetit të Rrëshenit.
Dy vëllezërit u arrestuan ditën e djeshme, Kora u arrestua në Rrëshen, ndërkohë që i vëllai i tij Besnik Kora është vetëdorëzuar pas gjashtë ditësh arrati në Policinë e Lezhës.

Më herët Policia prangosi në Laç babain e tyre Gurali Kora, 56 vjeç. Tashmë në kërkim mbetet Pëllumb Kora 26 vjeç, i cili dyshohet të jetë njëri prej autorëve të ngjarjes së rëndë, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagos edhe një grua.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: