TIRANË

Detaje të tjera zbardhen për ngjarjen e ndodhur në Tiranë, ku dy vëllezërit Anxhelo dhe Endrit Dashi, tentuan të vrasin me thikë Vladimir Mersinin. Gazetarja Dorjana Bezat ka zbardhur për “BalkanWeb” dëshminë e 45-vjeçarit Mersini, i cili ka treguar konfliktet me një nga vëllezërit. Fillimisht ka qenë një konflikt për një makinë të shitur nga Mersini për njërin prej vëllezërve.

“Konflikti me vëllezërit nisi për shitjen e një makine. Njërit prej vëllezërve i shita me akt noterial një makinë 2 mijë e 500 euro por ia thashë që në fillim që makina nuk kishte motor të mirë. Ai ra dakord ta blinte dhe t’ia ndërronte. Më pas kur nuk gjeti motor më tha mua më ndihmo të marr një kredi dhe t’i dilja unë garant. Unë nuk pranova dhe kështu marrëdhëniet tona u prishën”, ka rrëfyer 45-vjeçari.

Më pas ata janë zënë për vendin e parkimit të taksive.

“Ne punojmë bashkë taksistë prej shumë kohësh. Konflikti i fundit ndodhi për shkak të vendqëndrimit të taksistëve. Ngjarja ndodhi të hënën në orën 13:30. Unë kisha parkuar dhe po pushoja në pushimin e drekës. Një nga vëllezërit erdhi hapi derën me dhunë më ofendoi dhe tentoi të më godiste me thikë. Fatmirësisht shpëtova. Jam gërvishtur vetëm pak në faqe. Ndërhyri pronari i një lokali afër dhe njerëz të tjerë që ai mos më sulmonte. Më pas erdhi dhe vëllai tjetër dhe bëri të njëjtën gjë.  Pastaj mbërriti policia dhe i arrestoi të dy”, mësohet të ketë thënë në policia 45-vjeçari. Policia arrestoi për ngjarjen dy vëllezërit Anxhelo Dashi dhe Endrit Dashi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb