Nga: KOLEC TOPALLI*
Janë të rralla rastet në albanologji, kur një dijetar, me një përgatitje të gjithanshme dhe cilësore, ka dhënë kontribute në shumë fusha gjuhësore njëherësh. Njëri prej tyre është Justin Rrota: albanolog ndër më të shquarit e kohës së tij dhe të ditëve tona, gramatikan e filolog, historian i gjuhës, hulumtues e botues i autorëve të vjetër me transkriptimin e veprës së tyre, profesor i gjuhës e i letërsisë, autor tekstesh shkollore, madje edhe shkrimtar prozator. Ai do të mbahet mend përgjithnjë në botën shkencore e intelektuale për aktin e tij prej atdhetari e shkencëtari, që solli në Shqipëri prej bibliotekës së Vatikanit librin e parë të shkruar në gjuhën shqipe, duke krijuar mundësitë për t’i çuar shumë më përpara studimet filologjike të shqipes së vjetër. Madje, ai vetë ishte njëri prej këtyre studiuesve, që u mor veçanërisht me dy autorët më të parë të shkrimit të shqipes: Gjon Buzukun e Lekë Matrëngën. Hulumtime të tjera për shumë çështje të gramatikës historike i botoi në veprën “Analyzimi i rasavet t’emnit e zhvillimi historik i tynve”. Por vepra e këtij albanologu mbeti për shumë vite e panjohur tërësisht dhe kontributi i tij i pavlerësuar në përmasat e duhura, përderisa ende nuk njihet plotësisht vepra e tij, e cila po gjen vendin e vet dalëngadalë në vitet e shekullit tonë.
Pikërisht për arsye të mosbotimit ose të botimit me vonesë të veprave të këtij albanologu, shumë pak është i njohur kontributi i tij në fushë të etimologjisë, që përmbledhtas e gjejmë në tri vepra të tij: njëra e botuar vetëm para 8 vjetësh në Shkodër me titull “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore”, një tjetër “Fjalori etimologjik”, e panjohur për publikun shkencor, meqenëse gjendet si material i daktilografuar në Arkivin e Shtetit, dhe e treta, “Fjalë të reja”, edhe kjo si material i daktilografuar në Arkivin e Shtetit, në pritje të një dore dashamirëse që t’ia shkundë pluhurin dhjetravjeçar dhe ta nxjerrë në dritën e botimit.
Dorëshkrimi “Fjalori etimologjik” është fjalori i parë i kësaj fushe i shkruar nga një shqiptar. Kjo vepër, të cilën e kemi studiuar dhe shfrytëzuar në hartimin e fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe, i ndryshon përmasat e vlerësimit të Justin Rrotës në fushë të albanologjisë. Aty, gjuhëtari ynë ka dhënë etimologjinë e shumë fjalëve të shqipes, të trashëguara e huazime, duke qenë kësisoj një nga lëvruesit e hershëm të etimologjisë së shqipes, që për shqiptarët ka nisur me Pjetër Mazërrekun në shekullin XVII, ka bërë udhë me Dhimitër Kamardën, Nikollë Ketën, Engjëll Mashin, Vinçenc Dorsën, Petro Furiqin, Marco La Pianën, Kostandin Kristoforidhin, Aleksandër Xhuvanin, Tahir Dizdarin, Nikollë Gazullin, Martin Camajn, Idriz Ajetin, dhe ka arritur pikën më të lartë në studimet e Eqrem Çabejt. Vargut të këtyre etimologëve do t’i shtohet tashmë edhe emri i Justin Rrotës.
Duke vështruar më nga afër këtë “Fjalor etimologjik”, bie menjëherë në sy fakti se autori e njihte mirë kontributin e albanologëve paraardhës në këtë fushë, si Gustav Meyerit, Holger Pedersenit, Norbert Joklit, Henrik Bariqit etj. Vepra e tij mbështetet kryesisht në hulumtimet e Meyerit, autor i të parit fjalor etimologjik të gjuhës shqipe, i botuar gjermanisht. Dhe kjo ishte e natyrshme po të kemi parasysh se Justin Rrota studimet teologjike i kreu në Austri, atje ku punoi e studioi edhe albanologu austriak.
Një kontribut tjetër është dorëshkrimi me titull “Fjalë të reja”, në të vërtetë fjalë të rralla e të vjetra, që autori i kishte mbledhur me kujdes të madh në trevat veriore, sidomos në Malësitë e Alpeve. Në paraqitjen e tyre ka ndjekur rendin alfabetik duke shënuar shtrirjen nëpër të folme të ndryshme, përdorimin në frazeologji, duke bërë edhe krahasime me sinonime a trajta të tjera dialektore e duke vënë pranë fjalës shpeshherë burimin e saj. Në jo pak raste fjala lidhet me zakone, doke e tradita të maleve tona, duke dhënë kësisoj ndihmesa të çmuara edhe në fushë të etnografisë.
Kontribute të tjera, të bëra të njohura vetëm vitet e fundit, gjenden në veprën “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore”, ku hulumtimet etimologjike janë të shkrira në krerët e shumtë të veprës, sidomos në kreun e leksikologjisë, fonologjisë e morfologjisë.
Në kreun e leksikologjisë, Justin Rrota veçon elementin autokton të trashëguar nga gjuha indoeuropiane, prej elementit të huazuar. Duke u përqendruar në marrëdhëniet e shqipes me gjuhët ballkanike, ai ka vënë në dukje elementin e përbashkët të shqipes me gjuhët e vjetra që janë folur në Gadishullin Ballkanik, ilirishten e trakishten, duke sjellë kontribute edhe për etimologjinë. Në leksikun e periudhës historike, ai vë në dukje huazimet që kanë hyrë prej greqishtes, latinishtes, gjuhëve sllave dhe turqishtes. Një vëmendje të veçantë u ka kushtuar edhe marrëdhënieve me rumanishten duke dhënë kontribut në të gjitha këto fusha, si indoevropianist, helenist, ballkanolog, romanist, sllavist, turkolog etj. Këto ndikime ai i ka analizuar jo vetëm në fushë të leksikut, por edhe në elementet formative të fjalëve, në onomastikë, sidomos në toponimi dhe patronimi duke dhënë kontribute edhe për këto fusha, që lidhen ngushtë me etimologjinë. Dhe për të plotësuar kuadrin gjuhësor të shqipes deri në kohët më të reja, ka vënë në dukje edhe huazimet e vona, të quajtura fjalë ndërkombëtare, duke mbajtur qëndrim për vrullin e pandalshëm me të cilin po vërshonin ato në gjuhën shqipe pas shpalljes së pavarësisë.
Në pjesën e dytë të kësaj vepre, ku analizon tingujt e shqipes, Justin Rrota i kushton vëmendje shndërrimeve të tingujve, si metafonisë, asimilimit e disimilimit, metatezës etj., të cilat i shqyrton përmes analizave etimologjike. Në këtë pjesë meriton vëmendje të veçantë “Etimologjia popullore”, me anë të së cilës ka shpjeguar shumë fjalë, sidomos huazime, që në ndërgjegjen gjuhësore janë përzier me një fjalë vendëse, të tilla si: burgatuer nga lat. purgatorium me ndërhyrjen e emrit burg; piskavicë nga serb. pijavica me ndërhyrje të foljes piskoj; karajfile nga it. Carlo e Figlio “emri i një fabrike për prodhime armësh” me ndërhyrje të karajfilit; Luciferri nga lat. luciferus me ndërhyrje të ferr-it; brryl në shprehjen asht dejë e ba brryl nga it. farsi brillo “me i shkëlqye sytë nga pija”, me ndërhyrje të brrylit; gjyq në shprehjen hall me rrnue e gjyq me dekë nga turq. gjyç “vështirë” me ndërhyrje të gjyq-it; palldysy nga fr. par dessus me ndërhyrjen e emrit pallto; pulë hine nga pulë Hindit me ndërhyrjen e emrit hi ~ hini, mushmollë nga turq. mu?mula me ndërhyrje të emrit mollë etj. Të gjitha këto zbërthime etimologjike të drejta, që janë bërë pjesë e shkencës së etimologjisë, duhet të kenë pranë tyre emrin e etimologut Justin Rrota.
Në pjesën e tretë, që i kushtohet morfologjisë, autori jep burimet etimologjike të emrave të personave, antroponimet, që i ndan sipas rrugëve historike të hyrjes së tyre. Ndërmjet shumë shpjegimeve, gjejmë edhe emrin etnik Gegë, të cilin e krahason me lat. Gregor me kuptimin “bari, rojëtar i grigjës”. Më tej jepen shpjegime për burimin e emrave të familjeve, edhe kjo një fushë më vete në lëmë të etimologjisë. Së fundi, emrat e vendeve a toponimet, një fushë sa e vështirë, po aq e rëndësishme. Mendja e tij e mprehtë dhe nuhatja e hollë prej gjuhëtari shihet në zbërthimin etimologjik të shprehjeve të tilla, si: a merr vesht, që e lidh me veshin; pa fe marrjet, pa fe zorit, që e lidh jo me fe por me fije si një formë allegro e shumë të tjera.
Në të gjitha shpjegimet e dhëna për etimologjinë e fjalëve të shqipes, duket qartë jo vetëm përgatitja e jashtëzakonshme dhe shfrytëzimi i të gjitha kontributeve në këtë fushë, por edhe njohja e shumë gjuhëve të huaja, të vjetra e të reja, të Perëndimit e të Lindjes e mbi të gjitha njohja e thelluar e shqipes, me rrënjë e me degë, me të kaluarën e me të sotmen.
Për të gjitha këto kontribute shkencore në fushë të etimologjisë, Justin Rrota meriton të vlerësohet dhe t’i jepet vendi që i takon ndërmjet etimologëve të shekullit të kaluar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: