Tirana kërkon të afrojë të paktën dy lojtarë në merkaton e verës. Bëhet fjalë për sulmues, që bardheblutë kërkojnë t’i rekrutojnë mes legjionarëve apo atyre që kanë skuadrat e tjera në Superiore.

Qëllimi i bardhebluve është afrimi i dy sulmuesve. Kjo, sepse Seferi dhe lojtarë të tjerë si Xhixha apo Ngoja mund të largohen për në skuadra të tjera.

Në këto kushte, Tirana po kërkon lojtarë të zëvendësojë të larguarit. Një mundësi ku mund të përqendrohet është ajo e Kristal Abazajt.

Ky i fundit vazhdon të jetë një dëshirë e Tiranës, ndërsa tani bardheblutë duan të afrojnë lojtarë me peshë, siç bënë me Taulant Seferin në 2021-shin.

Në fakt, Abazaj është dëshirë e kahershme e Halilit që e kërkoi edhe në korrik 2021 ta afronte, por më pas lojtari u dëmtua dhe gjërat u ngrinë.

Tani që situata e dëmtimit është përmirësuar, Tirana del në skenë. Si presidenti dhe trajneri Shehi e duan lojtarin, që mes të tjerave është edhe tifoz i bardhebluve dhe disa herë është parë në stadium.

RINOVIMET – Tirana mendon për të ardhmen. Veç afrimit në ekip të lojtarëve cilësorë, bardheblutë janë duke parë edhe ata që janë në fund kontrate.

Kështu, tre janë futbollistët që shqetësojnë. Bëhet fjalë për Erjon Hoxhallarin, Filip Najdovskin dhe Ardit Tolin.

Të tre lojtarëve u mbaron kontrata në maj dhe për këtë qëllim drejtuesit janë duke menduar që të vazhdojnë bashkëpunimin.

Të treve u është ofruar ose do t’u ofrohet një kontratë e re. Kujtojmë se Hoxhallari është lojtari më i vjetër në skuadër së bashku me Ilion Likën, maqedonasi erdhi gjatë vitit të titullit dhe ishte vendimtar për arritjet në Europë.

TË TJERËT – Tirana është e blinduar për sa u përket kontratave.

Të gjithë lojtarëve u mbaron marrëveshja në vitin 2023. Për më tepër që skuadra nuk ka moshë të madhe.

Madje, është një nga ekipet më të reja në Superiore, me moshë 23.4 vjeç.

Bardheblutë janë skuadër e kompletuar në të gjitha aspektet.

Gjithsesi, ekipi ka lojtarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Bregu i Fildishtë, Anglia.

Më saktë, janë 10 të huaj te bardheblutë, sepse edhe Hoti e Limaj konsiderohen të huaj, sepse kanë pasaportë gjermane. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: