Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun, njëherësh përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka mbërritur këtë paradite në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada amerikane në Kosovë, përmes një njoftimi në Twitter.

“Ambasadori Kosnett mirëpriti këtë mëngjes në ambasadë, zëvendësndihmës sekretarin Matthew Palmer për një vizitë tre ditore në Kosovë, ku do të diskutojë me zyrtarë e institucioneve të Kosovës, për sfidat, mundësitë dhe dhe çështjet tjera me të cilat ballafaqohet Kosova”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Gjithashtu, në Kosovë pritet të mbërrijë sot edhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Palmer, së bashku me përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të qëndrojnë për vizitë në Kosovë, ku do të flasin lidhur me rifillimin e dialogut mes dy vendeve. Takimet me krerët e institucioneve pritet të mbahen gjatë pasdites së sotme.

Gjatë kësaj vizite, dy zyrtarët do të kenë takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministren e dytë dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ndërkohë, Lajçak gjithashtu do të takohet me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe do t’u drejtohet shefave të Misioneve të BE-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb