NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Vetëm në muajin shtator, që përkon edhe me nisjen e fushatës kundër informalitetit, numri i bizneseve debitore ndaj Tatimeve, pothuajse është dyfishuar krahasuar me muajin gusht. Kështu, sipas listës së tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, të publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rezulton se nga 118 biznese debitore të regjistruara në muajin gusht, numri i tyre deri më 1 tetor ka shkuar në 235. Pra nga 13 133 biznese gjithsej në vështirësi për të paguar taksat deri më 31 gusht të 2015-ës,  numri i tyre ka shkuar në 13 486 në fillim të muajit tetor.

Këto janë biznese ndaj të cilave administrata ka kryer të gjitha hapat ligjorë për mbledhjen e detyrimeve, që nga njoftimi i vlerësimit tatimor e deri tek bllokimi i llogarive bankare.

Meqenëse edhe pas këtyre procedurave detyrimi nuk është paguar, atëherë ndërmarrjet janë vendosur në listën e borxhlinjve dhe ndaj pasurive të tyre është vendosur barra siguruese.

Nëse këto subjekte nuk paguajnë detyrimin tatimor janë të detyruara të shkojnë drejt falimentit, pasi faza tjetër, pas vendosjes së barrës siguruese është sekuestrimi i aseteve të shoqërisë, por edhe atyre të aksionerëve.

Në fakt, deri në fillim të muajit tetor, rezultojnë 118 subjekte tregtare nën faliment në të gjithë vendin. Sipas listës së shpallur pranë drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve, rrethi me numrin më të lartë të subjekteve të falimentuara është Vlora me 31% të totalit e ndjekur nga Durrësi me 23%, Gjirokastra 8% dhe Tirana me 7% të subjekteve në proces falimentimi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: